E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet 45-vjeçari për tentativë vrasjeje

04/02/2005  Pranga edhe për adoleshentin e kërkuar

SHKODËR – Tenton të vrasë bashkëfshatarin, arrestohet. Burime nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se është bërë arrestimi i 45-vjeçarit, Lin Ndreka, nga komuna e Dajçit, me akuzën e tentativës së vrasjes. Dy ditë më parë, Ndreka ka tentuar të vrasë më një armë zjarri, tip automatik, shtetasin me inicialet T.I., po nga komuna e Dajçit. Ngjarja, që ka për autorë shtetasin Lin Ndrekën, ka ndodhur në qendër të fshatit, ndërsa shtetasi me inicialet T.I., po kalonte me makinë. Lini ka qëlluar me automatik në drejtim të makinës për ta vrarë, por nuk ka arritur t’i japë fund jetës së personit të ndodhur brenda makinës. Motivet, që kanë çuar në këtë akt, sipas burimeve policore, mësohet se nuk mund të cilësohen si të dobëta. Burime brenda policisë sqarojnë se tentativa për vrasje e para dy ditëve mund të lidhet me vrasjen e vëllezërve të Lin Ndrekës, disa kohë më parë. Personi me inicialet T.I., është shok i Nikolin Topallit, që mendohet se është autor i vrasjes dhe për këtë ai është arrestuar. Shënjestra e 45-vjeçarit Ndreka, shtetasi T.I., ka pasur miqësi me vrasësin e vëllezërve të Lin Ndrekës dhe kjo ka bërë që Lin Ndreka të humbë kontrollin dhe të qëllojë mbi të sepse ai ka kaluar disa herë para tij dhe në fshatin e tij. Arma e mbajtur pa leje nga Lin Ndreka, me të cilën ka qëlluar, një armë automatike, është sekuestruar nga policia.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme forcat e policisë së Komisariatit të Shkodrës kanë kapur një 16-vjeçar, që ishte prej disa muajsh në kërkim. Adoleshenti, me inicialet J.F., banues në Shkodër, në lagjen Perash, është i akuzuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Shkodrës, mesohet se ky person, pas një grindjeje me pronarin e një lokali, në lagjen “Qemal Stafa”, më 5 nëntor 2004, e ka kanosur atë për vrasje me armën pa leje, tip pistoletë. Pasi prokororia ka nxjerr urdhërarrestin, policia e Shkodrës bëri të mundur arrestimin e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›