E Hënë, 2 Nëntor 2026

Biznesi i vogël rebelohet ndaj KESH

04/02/2005  Rreth 20 tregtarë e artizanë të lagjes “Gjuhadol” nuk pranojnë më të paguajnë faturat afrofe

“Faturistët shkruajnë më shumë sesa harxhohet”

SHKODËR – Rreth 20 biznese të vogla në qytetin e Shkodrës janë revoltuar dje ndaj Korporatës Energjetike Shqiptare. Këto biznese janë të grupuara në një nga lagjet më të vjetra të Shkodrës, “Gjuhadol”, lagje pranë Kishës së Madhe dhe pronarët e dyqaneve deklarojnë se tani e tutje nuk do të deklarojnë energjinë elektrike, për arsye se mënyra e faturimit të energjisë elektrike është e padrejtë. Padrejtësia vërehet, sipas tyre, në plotësimin e faturave të energjisë elektrike afrofe, në një kohë që matësat e rinj elektrikë janë vënë që para një viti. Këto abonentë të KESH janë acaruar edhe më tepër, kur situata nuk ka ndryshuar, edhe pasi këta janë ankuar dhe kanë kërkuar ndryshimin e këtij faturimi.

Faturat

Dyqanet, në të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre këta biznesmenë të vegjël, ndodhen në katet përdhese të shtëpive dykatëshe karakteristikë e trashëguar dhe e ruajtur në vite. Ato janë në përgjithësi dyqane artizanati të vogël, ku ushtrohen aktivitete si këpucar, rrobaqepës, berber, kafe, riparime të tipeve të ndryshme, librari etj. Biznesmenët e vegjël shprehen se janë tatim-pagues të rregullt dhe më e rëndësishmja, që ka lidhje me problemin e tyre, ata thonë se janë pagues të rregullt të faturave të energjisë elektrike. Me vendosjen e matësave të rinj të energjisë elektrike, ata kanë kërkuar që të paguajnë, duke llogaritur shifrat që tregojnë këto matës. Por, deri tani, ankesa e tyre ka rënë në vesh të shurdhër dhe i ka detyruar që ta paguajnë energjinë afrofe, në një kohë që energjia ndërpritet në orët e para të paradites dhe vjen në orët e vona të pasdites, gati në kohën kur ato janë bërë gati të mbyllin dyqanet e tyre modeste. Sipas këtyre biznesmenëve të vegjël, pothuajse artizanë, po të shohësh matësat elektrikë dhe të llogaritësh kilovat-orët që harxhohen, do të shohësh se nuk i kalon 30-40 kilovatët si konsum, ndërkohë që faturuesi i KESH na detyron të paguajmë 100 kilovat në muaj. Po kështu, po të bëjmë një krahasim të shifrave në matësa gjatë këtyre muajve dhe faturave të ardhura në po këto muaj, do të vëmë re se një matës, që në një dyqan shënon 220-230 kilovat, ka të shënuar 750-800 kilovat në fatura.

Kërkesat

Përveç ankesës që kanë në lidhje me mënyrën e faturimit dhe pagesës së kësaj energjie, ata kërkojnë që të kenë dhe një furnizim të rregullt me energji, kjo jo vetëm si pagues të rregullt, por edhe si domosdoshmëri për ushtrimin e aktivitetit të tyre. Ata shprehen se si pasojë e mungesës së energjisë elektrike edhe aktiviteti i tyre po shndërrohet si në kohët e vjetra, duke u binjakëzuar me stilin e vjetër të ndërtesave të rrugës ku ata ushtrojnë aktivitetin. E vërteta është e hidhur, por e qartë si drita sapo hap derën e cilitdo nga këta biznesmenë të vegjël. Njëri prej rrobaqepësëve ka gjetur një mënyrë tepër origjinale për ngrohjen e hekurit hekurosës që e përdor vazhdimisht. Ngrohja bëhet mbi një furnelë të vogël gazi, sepse mundësitë ekonomike të tij nuk ia lejojnë të blejë gjenerator dhe kështu është i detyruar të gjejë një metodë të përafërt me atë të paraardhësve që e bënin ngrohjen mbi soba druri. Por, për ironi të fatit, edhe ai është i detyruar të paguajë energjinë elekrike aforfe për të plotësuar ndoshta ndonjë dificit të KESH në realizimin e planit. Pronarët i janë drejtuar zyrave të KESH, por nuk kanë gjetur zgjidhje. Drejtuesit e KESH, shprehen se faturat e shkruara nuk mund të ndryshohen më dhe i sugjerojnë ankuesve se për këtë ata mund të bëjnë ankesë pranë organeve gjyqësore. Të ndodhur para këtij fakti, pronarët e dyqaneve shprehen se nuk do t’i paguajnë më faturat e energjisë elektrike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›