E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bruno: Na kanë humbur 100 mijë euro e 10 mijë dollarë

04/02/2005  I biri i gruas së zhdukur thotë se, ajo edhe në prani të motrës së saj ka treguar se do të largohej

TIRANË – Bruno, djali i Agim Mushos dhe gruas së zhdukur, Irena Seli, ka rrëfyer dje bisedën e tij me nënën 39-vjeçare, e cila i ka besuar atij planin e largimit të saj. 20-vjeçari, tha dje se babait të tij, Agimit, pronar i kompleksit “Bruno” në Tiranë, i kanë humbur 100 mijë euro e 10 mijë dollarë, të cilat i mbante diku. Studenti i degës së menaxhimit të biznesit në një universitet privat në Gjermani, ka treguar edhe dyshimet e tij për zhdukjen e Irenës, duke i bërë thirrje asaj të lajmërojë se është gjallë, të kthehet në familje se gjithçka rregullohet, ose të tregojë vendimin e saj dhe ta respektojë atë, pasi të ketë treguar ku ndodhet.

Bruno, në shtyp keni thënë se Irena ju ka treguar për largimin e saj, si është e vërteta?

Më mori pranë dhe më tha se kishte në plan të largohej, se nuk e donte më babain tim. Fliste me fjalë të qeta, më tha se po më tregonte me sinqeritet. Dukej e vendosur dhe e qetë.

Ju tha ndonjë vend të mundshëm ku mund të shkonte?

Ajo kishte dëshirë të shkonte në Amerikë. Ajo e lidhi këtë me shkollën time, kur më tha se, pasi të mbaroja shkollën në Gjermani, do të shkoja edhe unë atje.

A ka patur persona të tjerë të pranishëm, kur është bërë kjo bisedë?

Njëherë ka folur vetëm me mua. Por më pas ka folur për këtë edhe në prani të motrës së saj.

Përse kanë dashur prindërit tuaj ta kalojnë pasurinë ty?

Mami kërkoi të ma jepnin pasurinë mua. Pasi zhvillova disa biseda me gjyshen në Gjermani (nënën e Irenës), kuptova se ky ishte një plan që unë të merrja lekët dhe të shkoja me të.

Pse mendoni se Irena është larguar?

Në datat 17 dhe 18 dhjetor na mbërritën disa sinjale telefonike. Verifikova dhe zbulova se numri i përkiste një kompanie telefonash në Los Anxhelos. Veç këtyre sinjaleve mësuam se na kishin humbur 100 mijë euro e 10 mijë dollarë, që babai i mbante të fshehur diku.

Çfarë mesazhi keni për Irenën?

Të kthehet sa më shpejt, se gjithçka rregullohet. Të na lajmërojë ku ndodhet dhe si është, ta dimë se është gjallë.

Dëshmia e Brunos në Prokurori

Dy ditë më parë, në orët e mesnatës, 20-vjeçari Bruno Musho, bashkë me babain e tij, Agimin, kanë qëndruar për shtatë orë në zyrat e hetuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pyetjet e hetuesve për Brunon kanë patur si qëllim të sqarojnë raportet mes dy prindërve të tij. Bruno ka dëshmuar për marrëdhëniet mes Agimit, babait të tij dhe nënës, Irenës, e cila është zhdukur në datën 16 dhjetor 2004. 20-vjeçari ka dhënë sqarime edhe për sinjalin telefonik nga Los Anxhelosi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai u ka shpjeguar hetuesve të gjithë rrugën që ka ndjekur për të mësuar kompaninë që kishte atë numër telefoni dhe zonën ku përdorej ai prefiks (01...).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›