Arrestohet 48-vjeçari, përplasi me makinë një të moshuar
Policia e Durrësit arrestoi një 48-vjeçar, i cili aksidentoi një kalimtar. Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Fushë-Krujë - Tiranë në afërsi të Niklës. Në prangat e uniformave blu ra Hamit Bakiu, lindur dhe banues në Krujë. Ai ishte duke udhëtuar me një automjet tip “Audi” kur ka përplasur 76-vjeçarin Abdi Asllani, lindur në Maqellarë dhe banues në Bulqizë. Ka qenë vetë drejtuesi i mjetit, i cili i ka dhënë ndihmën e parë të moshuarit duke e dërguar atë në Spitalin Ushtarak. Pas marrjes së ndihmës së parë nga mjekët, 76-vjeçari e ka kaluar gjendjen e vështirë dhe tani është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që ndaj drejtuesit të mjetit policia ka nisur procedimin penal. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".