E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy të plagosur në kryeqytet, identifikohen autorët

TIRANE- Dy persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri dhe me thikë gjatë mbrëmjes së të shtunës në kryeqytet dhe gjatë paradites së djeshme për shkak të konfliteve banale.


Në një rast i dëmtuari, që pretendohet se ka qenë i dehur, është qëlluar pas një grindjeje në lokal, orenditë e të cilit kanë mbetur të dëmtuara. Ervin Duka, 29 vjeç, banues në Shkozë, mbeti i plagosur mbrëmjen e të shtunës rreth orës 22:00, të së shtunës në rrugën "Ai Demi" në një lokal në afërsi të shkollës "Kushtrimi i Lirisë".


Duka mbeti i plagosur nga një plagë me armë zjarri që mori pas një grindjeje në ambientet e brëndshme të një lokali në rrugën "Ali Demi". Për plagosjen e tij, policia shpalli në kërkim në cilësinë e personit të dyshuar Endi Mucollarin, rreth 27 vjeç.


Sipas policisë, i dëmtuari kishte qenë në lokalin ku ndodhi plagosja, ndërsa ishte konfliktuar për motive ende të panjohura, ndërsa në grindje e sipër ishin thyer orenditë dhe pajisjet e lokalit. në kohën që në lokal vazhdonte grindja, kanë mbërritur të afërm të pronarit të lokalit të cilët në grindje e sipër kanë qëlluar me armë duke lënë të plagosur në këmbë.

Ndërkaq, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe menjëherë ka nisur hetimet. Nga veprimet hetimore të kryera nga oficerët e policisë së kryeqytetit, është shpallur në kërkim, Endi Muçollari, 27 vjeç, banues në kryeqytet.


Ndërkaq ngjarja e dytë ka ndodhur në rrugën "Siri Kodra", pranë ish- uzinës "Dinamo e Re", kur Flamur Çeta rreth 50 vjeç, plagosi me thikë Hekuran Shkëmbin, 47 vjeç, banues në Tiranë.


Ngjarja, sipas burimeve të policisë, ka pasur motive banale. Edhe në këtë rast, policia ka mundur të zbulojë autorësinë e krimit, i cili sipas tyre është Flamur Çeta. Ky i fundit, sipas burimeve të policisë, akuzohet për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë me pasojë plagosjen e një personi.


Dosjet e të dy ngjarjeve të ndodhura mbrëmjen e të shtunës dhe të dielës, policia i ka referuar në prokurorinë e rrethit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›