E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet 50-vjeçari, vrau nënën me sëpatë



Policia e Librazhdit ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së nënës së tij 75-vjeçare dhe plagosjes së vajzës adoleshente. Haki Miska, 50 vjeç, ra në prangat e policisë, ndërsa ai po përpiqej të fshihej, në rrethin e Bulqizës. Ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur para dhjetë ditësh në fshatin Prevadh të rrethit të Librazhdit. Autori i dyshuar i krimit ka qëlluar të ëmën me sëpatë, duke e lënë të vdekur në vend dhe ka plagosur vajzën e tij. Edhe pse në arrati, sipas policisë, ai vazhdonte të përbënte rrezik për familjarët e tij, pasi i kërcënonte ata se do t’i vriste. Pas krimit, ai kishte arritur të fshihej duke qëndruar në zonat e thella malore të rrethit të Bulqizës, ku dhe u ndalua.

Arrestimi

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Prevadh të rrethit të Librazhdit, policia kishte nisur një operacion për arrestimin e autorit të krimit. Ai i ishte shmangur arrestimit, duke u fshehur në zonat malore të fshatit dhe kishte shpëtuar duke përfituar nga terreni i vështirë dhe njohja e zonës. Ndërkohë që policia vazhdonte kërkimet në terren, si dhe grumbullimin e informacionit për vendndodhjen e 50-vjeçarit. Pas të dhënave të marra në rrugë operative se Miska ishte parë në Komunën e Ostrenit, policia organizoi operacionin për ndalimin e tij. Ai u vu në pranga gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së djeshme. Miska u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.

Ngjarja

Në datën 5 shkurt, një ngjarje tragjike ka ndodhur në rrethin e Librazhdit, ku një 50-vjeçar ka vrarë nënën e tij me sëpatë dhe ka plagosur të bijën në fshatin Prevadh. Menjëherë uniformat blu shkuan në vendngjarje, ku në banesën e familjes Miska gjetën trupin e pajetë të një të moshuare. Viktimë e këtij sulmi makabër ka qenë 75-vjeçarja Dije Miska, ndërsa mbeti e plagosur 18-vjeçarja Besjana. Nga ekspertiza e kryer u vërejt se viktima kishte humbur jetën si pasojë e goditjeve të shkaktuara me mjete mprehëse. Si autor i kësaj vrasjeje ishte i biri i viktimës, Haki Miska. Sipas burimeve nga policia, 18-vjeçarja është plagosur, ndërsa po përpiqej që të ndalonte të atin që të godiste gjyshen me sëpatë, por ka mbetur edhe vetë viktimë e sulmit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›