Kryeplaku: Akuzat e Martit, të padëgjuara në këto anë
Kryeplaku i fshatit Derven, Shefqet Rexhepi, rrëfen kohën kur fshati u mbush me refugjatë kosovarë, pa e fshehur habinë për përmendjen e Fushë-Krujës në raportin e Dik Martit
Intervistoi: Habjon Hasani
Shefqet Rexhepi, kryeplaku i fshatit Derven, është me origjinë nga Kosova. Familja e tij është vendosur në këtë fshat, së bashku me shumë kosovarë të tjerë në fillim të shekullit të kaluar, ndaj edhe në vitin 1999, ata ofruan gjithë mikpritjen dhe kujdesin për refugjatët kosovarë, që u vendosën në ish-bazën ushtarake të kundërajrorëve në Derven. Shefqeti nuk e fsheh habinë për atë që ka dëgjuar mbi raportin e Dik Martit, ndërsa shpreh bindjen se asgjë e tillë nuk ka ndodhur në këtë fshat. “Në vitin 1999, këtu u vendosën mbi 1500 refugjatë kosovarë. Kampi ka qenë i kontrolluar nga strukturat shtetërore dhe nuk ka asnjë mundësi që këtu të jetë bërë trafik organesh”, - shpreh bindjen ai në këtë intervistë për “MAPO”-n.
Zoti Rexhepi, a keni dëgjuar ju për deklaratat e reporterit të KE-së, Dik Marti, për një fshat pranë Fushë Krujës?
Aq sa kam dëgjuar nga televizionet dhe jemi shumë të çuditur. Po nuk dimë se për cilin fshat e ka fjalën ai.
Këtu në Derven, në vitin 1999 ka pasur një kamp refugjatësh kosovarë. Në atë kohë, a keni dëgjuar apo është përfolur ndonjëherë për histori të tilla?
Po, është e vërtetë që këtu në vitin 1999 u stacionuan shumë familje kosovare, të shpërngulura nga lufta dhe spastrimi që po ndodhte. Qeveria vendosi që të shfrytëzohej ish- baza ushtarake e Dervenit, si vendi ku ata do të strehoheshin. Këtu ata kanë gjetur një mikpritje të veçantë të banorëve, pasi një pjesë e mirë e fshatit janë kosovarë, gjithashtu edhe unë, por ne jemi shpërngulur gati që një shekull më parë. Për këtë që pyesni ju, më lejoni t’u them se kjo është e pamundur dhe se kurrë nuk është përfolur për gjëra të tilla. Kampi ka qenë i kontrolluar nga strukturat shtetërore dhe gjithçka ka shkuar më së miri. As në kamp dhe as në ndonjë shtëpi këtu në fshat, as që diskutohet fare se mund të kenë ndodhur të tilla gjëra.
Në dijeninë tuaj, a ka pasur në kamp ushtarë të UÇK-së?
Unë nuk kam qenë kryeplak në atë kohë, por mund t’u them se nga ajo që unë mbaj mend, ka qenë vetëm një femër, që kishte luftuar disa kohë në Kosovë dhe më pas kishte ardhur në kamp, pasi kishte pësuar dëmtime. Këtë vetëm mbaj mend unë.
Gjatë këtyre viteve, a ka pasur interesime nga strukturat shtetërore si policia apo prokuroria, apo vizita nga të huajt, të cilët janë interesuar për akuzat që ngre Dik Marti mbi trafikun e organeve?
Unë ju garantoj se në këtë fshat nuk ka pasur asnjë interesim të tillë nga shteti dhe këto struktura që ju përmendni. Edhe në fshatrat e tjerë rreth Fushë-Krujës, unë nuk kam dëgjuar kurrë, asnjëherë, që të ketë përfolur apo hetuar kush këtë punë.
Prifti italian: S’i kam dëgjuar kurrë këto histori
At Carmine Leuzzo, i cili shërben në Fushë-Krujë prej vitit 1996, pohon se kurrë nuk ka dëgjuar fjalë për trafik organesh
Carmine Leuzzo është prift i Kishës Katolike të Dervenit, një kishë që është rindërtuar në fillim të viteve ‘90 në truallin e ish- repartit ushtarak, ku edhe u vendosën në vitin 1999 refugjatët kosovarë. Ati italian ka ardhur në Derven që prej vitit 1996 dhe e mban mend mirë kohën e ndërtimit të kampit të refugjatëve, ku u strehuan rreth 1500 kosovarë. Prifti pohon për “MAPO”-n se gjatë gjithë kohës që ka shërbyer në Derven, por edhe në fshatrat përreth, nuk ka dëgjuar kurrë të flitet për trafik organesh apo keqtrajtim të shtetasve serbë.
At Carmine, prej sa kohësh shërbeni në kishën e Dervenit?
Unë shërbej këtu që prej vitit 1996.
Pra në vitin 1999 keni qenë këtu, kur erdhën refugjatët kosovarë?
Po, kam qenë këtu gjithë kohës. Ata janë strehuar në ndërtesat e ish- bazës ushtarake dhe në çadrat e ndërtuara enkas për ta. I mbaj mend mirë ngjarjet. Madje në atë kohë, një komunë italiane vendosi të furnizonte kampin e refugjatëve me ushqime veshmbathje dhe medikamente mjekësore. Këtë projekt nuk e kam udhëhequr unë, megjithatë kam qenë ndihmës dhe dëshmitar i ndihmës së ardhur nga Italia. Kemi bërë ç’është e mundur për të kontribuar për çdo problem të refugjatëve dhe kemi bashkëpunuar me zyrtarë shtetërorë, mjekë, ushtarakë, policë, që çdo gjë të shkonte mirë.
A keni dëgjuar ju për deklaratat e Dik Martit, se në Fushë Krujë është bërë trafik organesh?
Unë nuk e kam ndjekur vetë atë, po me ç’më kanë thënë kështu nëpër biseda.
Ai ka thënë se në një shtëpi në një fshat pranë Fushë-Krujës, bëhej heqja e organeve të të burgosurve të UÇK-së. Si i vlerësoni ju këto akuza?
Unë kam këtu që në vitin 1996 dhe kurrë nuk kam dëgjuar për gjëra të tilla. As në Derven e as për të tjera fshatra, kurrë nuk kam dëgjuar nga këto histori.
H.Hasani
Në qytezën e Bushit, ku lajmet importohen nga jashtë, tashmë bisedat vërtiten vetëm rreth një emri, Dik Martit
Fushë-Krujë, në
gjurmët e padukshme
të Dik Martit
Mes banorëve të Fushë-Krujës dhe Dervenit, ku koha e luftës në Kosovë lidhet vetëm me kampin e 1500 refugjatëve. Akuzat e Martit? “Kemi pasur pengmarrje, vrasje në ’97, por një histori të tillë s’e kemi dëgjuar kurrë më parë”
Nga Fushë-Kruja
Habjon Hasani
Në qytezën e vogël të Fushë-Krujës, ngjarjet importohen nga jashtë, për të ushqyer më pas tavolinat e ngeshme të banorëve. Rastësi e pashpjegueshme mbeti ajo e vizitës së Presidentit Xhorxh Bush, por asokohe, e gjithë qyteza nuk kish si të mos ndjehej mirë, teksa bënin xhiron e botës si vendi që mirëpriti presidentin. Por s’qenka e thënë që fushë-krujasit t’u rikthehen halleve të përditshmërisë! Një tjetër herë, fati e desh të futen në gojë të botës, për shkak të një raporti të hartuar nga Dik Marti. As që kishin dëgjuar më parë për këtë deputet zviceran, para se ai të përmendte Fushë-Krujën, si vendin ku organet njerëzore nisnin rrugëtimin drejt Aeroportit të Rinasit. Por tashmë, emri i tij ka pushtuar bisedat në qytet, duke shkaktuar më shumë habi se kudo, tek vetë ata, fushë-krujasit. Në mungesë të një destinacioni të përcaktuar qartë në raportin e Dik Martit, ndaluam fillimisht në qytezë. Synimin tonë për të gjetur shtëpinë e hamendësuar prej deputetit zviceran ua bëjmë me dije vendasve. Nisim të pyesim me radhë: shitës, taksistë, banakierë, mjekë, por edhe shumë të rinj, nëse kanë dëgjuar gjësend për shtëpinë misterioze të trafikut të organeve. Të gjithë pa përjashtim ngrenë supet, duke të pohuar se kanë dëgjuar vetëm lajmet. “Nuk ka mundësi, do të jenë ngatërruar. Ndoshta me ndonjë fshat pranë Krujës, pasi këtu është vend i vogël e të gjithë njihemi me njëri-tjetrin. Do ishte marrë vesh”, - shton me habi një djali i ri, të cilin e takojmë në qendër të qytezës. Përfundon të pyesësh nëse kanë dëgjuar ndonjëherë biseda ose thashetheme për klinika organesh apo operacione të dyshimta gjatë luftës në Kosovë, e sërish nuk merr asnjë përgjigje orientuese. “Nuk e di fare se si e ka thënë për ne Dik Marti atë gjë. Këtu nuk ka pasur kurrë ngjarje të tilla, as në Fushë-Krujë dhe as në fshatra. Ka pasur probleme hasmërie dhe vrasje në vitin 1997, ka pasur pengmarrje, e madje edhe ngjarje të rënda, por këto që thotë Dik Marti, kurrë nuk i kemi dëgjuar” - shprehet një burrë i moshuar, duke shtuar se të gjithë këtu diskutojnë për këtë gjë dhe janë të çuditur. “Erdhi si rrufe në qiell të pastër, pasi këtu te ne merren vesh ngjarje më të vogla, e jo më trafiqet e organeve” - shton i moshuari, i cili na përshëndet me një ngritje supesh e niset në punë të vet. Por të gjithë ama pohojnë se kosovarë ka pasur në fshatin Derven, e ca syresh në fshatin Gjolaj.
Drejt ish-kampit të refugjatëve
I vetmi vend që mund të lidhë Fushë Krujën me luftën e Kosovës është një ish-kamp refugjatësh, të cilët u vendosën në vitin 1999 në Derven. Banorët tregojnë se fare pak prej tyre u sistemuan në shtëpitë e disa vendasve në fshatin Gjolaj. “Kosovarët u vendosën tek ish- baza e kundërajrorëve në Derven. Aty ka banorë me origjinë kosovare që jetojnë prej shumë vitesh aty, pranë bazës. Këta banorë i ndihmuan gjithashtu refugjatët, por rolin kryesor e luajti shteti dhe ne të gjithë ndihmonim me sa mundësi kishim. Daja im është mjek, këtu në Fushë-Krujë dhe shumë herë ka shkuar duke bërë detyrën, por edhe vullnetarisht, kur ndonjë refugjat ka pasur probleme shëndetësore”, - thotë një djalë rreth të 30-ave. I drejtohemi Dervenit, ku për të mbërritur, duhet të udhëtosh vetëm katër kilometra. Rruga që përshkon fshatin është e asfaltuar në pjesën më të madhe të saj, ndërsa vështirësitë nisin kur i drejtohesh kodrës në fund të fshatit, ku dikur ka qenë bazë ushtarake dhe në vitin 1999 u kthye në kamp refugjatësh kosovarë. Shtëpia më e afërt pranë bazës është diku te 200 metra distancë, ndërsa një kishë e vogël ndodhet fare pranë saj. Ish-kampi është i rrethuar me tela, tërësisht i braktisur dhe rrënimi i tij është i dukshëm sot. Madje, ajo është pronë private tashmë e një prej familjeve të zonës.
Djemtë e kishës
I vetmi vend pranë kampit, ku mund të interesohemi është kisha. U afrohemi disa besimtarëve aty pranë, dhe porsa nisim t’u shpjegojmë se duke ndjekur gjurmët e raportit të Dik Martit, kemi mbërritur aty. “Mos vallë Dik Marti ka përmendur fshatin Derven?!”, - hidhet e thotë një besimtar, duke të lënë përshtypjen se nuk i pëlqen fare ç’ka po thuhet për Fushë-Krujën. “Këtu ka pasur vetëm gra dhe fëmijë më së shumti.Gjithçka ka qenë e kontrolluar nga shteti, por ka dhënë ndihmën e vet edhe kisha. Kanë qenë të vendosur në ndërtimet e bazës dhe në çadra, por kurrë ne nuk kemi dëgjuar ndonjë gjë të tillë, as për kampin, e as për ndonjë shtëpi”, - shprehet një prej djemve që ndodhej në kishë. Më tej, banorët përmendin se në atë fshat veç një ngjarje e jashtëzakonshme u kujtohej, një ngjarje e largët, e ndodhur në vitin 1996 që kishte të bënte me rrëmbimin e një fëmije. Një histori hasmërie mes dy fiseve të fshatit. Në Derven gjurma më e ‘fortë” e krimeve datonte në vitin 1996-1997. Asgjë tjetër e jashtëzakonshme nuk kishte ndodhur aty për t’u kujtuar gjatë. As tre vite më vonë, kur fshati u popullua nga 1500 refugjatë kosovarë, e as sot, kur dëgjojnë me habi përmes televizorit se diku pranë shtëpive të tyre mund të jetë kryer trafik organesh…