E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiaku: Fushë-Kruja në raport, gabim ortografik

SHKRUAN: Habjon Hasani 22-12-2010 14:36

Ismet Mavriqi pohon për “MAPO”-n se Dik Marti ka ngatërruar me siguri zonat. “As nuk është fare e mundur dhe është krejt pa lidhje ajo gjë, për sa i takon zonës së Fushë Krujës”

Kreu i Bashkisë së Fushë-Krujës, Ismet Mavriqi e ka një përgjigje të vetën për përmendjen e qytezës që drejton në raportin e Dik Martit. “Është një gabim ortografik përmendja e Fushë-Krujës. Këtë gjë mendova pas publikimit të raportit”, - thotë për “MAPO”-n kryebashkiaku Mavriqi. “Kur e dëgjova atë gjë, menjëherë mendova se është gabim ortografik. E kanë ngatërruar me atë shtëpinë në Burrel, ata. As nuk është fare e mundur dhe është krejt pa lidhje ajo gjë, përsa i takon zonës së Fushë-Krujës. I ngatërrojnë zonat si duket, se tjetër arsye nuk ka”, - tha kryebashkiaku. Sipas tij, është krejt e paimagjinueshme që një shtëpi e tillë të jetë në zonën e Fushë-Krujës. I pyetur në lidhje me kampet e refugjatëve kosovarë në zonën e Fushë-Krujës në vitin 1999, Mavriqi ka sqaruar se asnjëherë, as atëherë, e as më vonë nuk ka pasur asnjë informacion të tillë mbi një trafik të mundshëm organesh apo keqtrajtim serbësh. Kampi i refugjatëve ka qenë në Derven, ndërsa një pjesë më e vogël refugjatësh u strehuan nëpër shtëpi në fshatin Gjolaj. Atje i kanë pasur të gjitha kushtet dhe kanë qenë gjatë gjithë kohës nën mbikëqyrje dhe kujdes shtetëror. As nuk mund të diskutohen histori të tilla fare, mendoj unë”, - ka përfunduar reagimin e tij kryebashkiaku Mavriqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›