E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet Apostolos Vavilis në Bolonja

23/04/2005  Italianët do ta ekstradojnë pas vuajtjes së dënimit për trafik droge

Eshtë arrestuar në Bolonja të Italisë i shumëkërkuari Apostolos Vavilis. Sipas kanalit televiziv grek “Alpha TV”, policia italiane arriti që të zbulonte vendstrehimin e Vavilisit në sajë të të dhënave të zyrës së ndjekjes të krimit të organizuar të policisë helene. I shumëkërkuari nga Interpoli kërkohej edhe nga autoritetet italiane. Vavilis akuzohet nga autoritetet italiane për transportim të 1.5 kilogramësh heroinë në 1994 dhe për këtë është dënuar në mungesë me 7 vjet heqje lirie.

Bolonja

Vavilis mbahet në policinë e Bolonjës dhe ka shumë mundësi që në ditët në vazhdim të marrë rrugën drejt një burgu italian, ku do të vuaj dënimin e dhënë nga gjykata e këtij vendi. Autoritetet greke kanë marrë menjëherë kontakt me ato italiane dhe po përpiqen për ekstradimin e tij në Greqi. Por shanset për t’u arritur një marrëveshje midis të dy palëve, janë të pakta. Së pari, ish-agjenti i përfolur në shumë trafiqe e transferta parashë, do të lajë borxhet me drejtësinë e vendit që e ka arrestuar.

Avokati

Mosekstradimin e Apostolos Vavilisit e pohon edhe avokati i tij, Jorgos Vlahos, i cili thotë: “Ekstradimi i klientit tim në Greqi nuk mund të ndodhë veçse pasi ai të ketë kryer dënimin që i ka dhënë drejtësia italiane”. Sipas avokatit Vlahos, klienti i tij do të apelojë menjëherë ndaj këtij dënimi. Avokati grek ka konfirmuar se autoritetet helene mund të kontaktojnë me të arrestuarin në burgjet italiane. Gjithashtu, Vlahos ka sqaruar për “Alfa TV” se arrestimi i klientit të tij në Itali, ishte skenari më i keq që kishte llogaritur i shumëkërkuari. Vavilis preferonte që, nëse arrestohej, të arrestohej nga autoritetet greke, pasi në Greqi kishte për t’u përballuar vetëm me dy akuza, të cilat nuk kishin karakter penal të rëndë dhe për të dyja së bashku mund të merrte një dënim më të vogël, se ai që tashmë i duhet të vuaj në burgjet italiane. Madje, sipas avokatit, klienti i tij po planifikonte që të shkonte në Greqi pas Pashkëve ortodokse, që të përgënjeshtronte me dokumente implikimin në piramida dhe akuzat për pastrim parashë. “Vavilis kishte si synim që të përgënjeshtronte publikisht edhe me dokumente akuzat që i janë bërë për pastrim parash, për implikim në çështjen “piramida” në Shqipëri, si dhe për akuza të tjera që i janë bërë.

Lidhjet me piramidat shqiptare

Agjenti Apostolos Vavilis ka nënshkruar në vitet e piramidave marrëveshje financiare fort të leverdisshme me ish-kompanitë "Vefa" e "Cenaj". Sipas medias greke, ai ka bërë kontrata me ish-bosin Vehbi Alimuçaj dhe Lefter Cenajn. Miliona dollarë janë transferuar në bankat greke me ndërmjetësinë "Vavilis", sipas shtypit helen, nën shoqërinë e një ministri dhe një deputeti shqiptar. Gjithashtu, hetuesit kanë pohuar dhe lidhjet e miqësitë e të kërkuarit me ministra e deputetë shqiptarë, si dhe strehimin e tij nën këtë shoqëri për disa javë në Gjirokastër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›