Sërish makina e kompjutera për Policinë e Shtetit
23/04/2005 TIRANË- PAMEC-a i dhuron Policisë së Shtetit katër automjete, nga të cilat 3 ishin Land Rover TDI dhe 1 Iveko, kompjutera Laptop Toshiba, printera, gjeneratorë, kamera e materiale të tjera. Ceremonia e dorëzimit të këtyre pajisjeve, sipas njoftimit të policisë, u zhvillua dje, ku të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Bajram Ibraj, Shefi i Misionit PAMECA, Klaus Schmidt, përfaqësues i Komisionit Evropian, Klas Los, etj. Ibraj falenderoi PAMEC-ën për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë e po jep për Policinë Shqiptare, si në asistencë teknike, përmes trajnimeve, ashtu dhe në mbështetje logjistike. Nga ana e tij, shefi i Misionit PAMECA u shpreh se, aktiviteti i sotëm është në kuadër të aktivitetit që ky mision zhvillon në ndihmë të Policisë Shqiptare dhe pajisjet e dhuruara kanë si qëllim për t’i ardhur në ndihmë kësaj policie në çdo aspekt të punës së saj. Për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, akti i dhurimit u nënshkrua nga drejtori Ibraj, ndërsa për PAMEC-ën u nënshkrua nga shefi i këtij misioni, Klaus Scmidt. Dhurimi i këtyre paisjeve, ashtu sikurse dhe donacioni i bërë nga ambasada gjermane, para dy ditësh, për repartin RENEA, si dhe dhurimi për Policinë Kufitare Shqiptare i disa pajisjeve për sitemin e komunikimit nga Zyra e OSBE-së, janë vlerësuar nga burimet zyrtare të policisë si një shprehje e qartë e ndihmës dhe përkrahjes që po i japin Policisë së Shtetit misionet, ambasadat dhe programet e huaja që veprojnë në Shqipëri. RENEA para dy ditësh u pajis me helmeta, pajisje logjistike, etj., që arrinin vlerën e 500 mijë dollarëve, ndërsa ndihmat do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.