Gjendet 15-vjeçarja, kishte shkuar te shoqja
23/04/2005 TIRANË- Gjendet vajza 15 vjeçe që ishte larguar nga shtëpia pa lajmëruar prindërit. Burime nga komisariati i Kombinatit, ku banonte e mitura Marsida Alushi, thanë për gazetën se vogëlushja kishte shkuar te një shoqe e saj, pasi kishte pasur një grindje të vogël me prindërit. Kërkimet e shumta të agjentëve përfunduan me sukses të plotë dhe kjo falë angazhimit të krerëve të këtij komisariati të sapoformuar. Kësaj radhe, sipas burimeve të Komisariatit numër 5 në Kombinat, nuk kishte të bënte ndonjë i dashur apo histori me arratisje. Ka mjaftuar vetëm një fjali: "Nuk kthehem sot" dhe dilema ende ka mbetur në dorën e 15-vjeçares së zhdukur, Marsida Alushi, nxënëse e vitit të parë në gjimnazin e Kombinatit. Dhimbja dhe ankthi që kishte pllakosur në familjen Alushi, dje u kthyen në gëzim e lumturi. Në fakt, burimet policore thanë për gazetën se nuk kishte pistë, detaj, elementë apo të dhëna konkrete, që të çojë në zbardhjen e kësaj zhdukjeje, e cila tashmë nuk është e tillë. Që pas marrjes së denoncimit, ekspertët e policisë kanë nisur menjëherë hetime intensive për gjetjen e Marsidës. Sipas burimeve policore, fillimisht kërkimet nisën në orën 12.00 të datës 20 prill të këtij viti, pikërisht tri orë pasi kishte bërë denoncimin. Agjentët dhe inspektorët kontrolluan në të gjitha klasat e gjimnazit të Kombinatit dhe morën në pyetje të gjitha shoqet e saj. Sakaq, nga dëshmitë e familjarëve, miqve dhe shoqeve të Marsidës, mësohet se vogëlushja nuk kishte të dashur, gjë e cila mund të krijonte dyshime rreth largimit të saj me të. Të gjithë e njihnin të miturën si një vajzë të urtë e të sjellshme, ndërsa notat e saj në shkollë, sipas policisë, ishin shembull për të gjithë nxënësit. Ajo tashmë gëzon shëndet të plotë dhe ndodhet pranë gjirit të familjes.