E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vdes tragjikisht në rrotat e makinës vajza 24 vjeçe

23/04/2005  TIRANË- Dita e djeshme shënoi dy të vdekur nga aksidentet rrugore. Nga burime të Qarkullimit Rrugor u bë e ditur se rasti më i rëndë i përket një aksidenti tepër të rëndë automobilistik, i cili ka ndodhur në qendër të Tiranës, ku si pasojë ka gjetur vdekjen një vajzë 24 vjeçe. Ngjarja ka ndodhur dje paradite, rreth orës 10.00, ku një automjet i tipit maune me targa TR 4604 F ka përplasur për vdekje 24-vjeçaren Blerina Limaj, ngjarje e ndodhur pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Policia, sipas burimeve të Qarkullimit Rrugor, ka arrestuar shoferin e maunes, Kujtim Rizai, 53 vjeç, ndërsa viktima është çuar në morgun e Tiranës. Policia po heton për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes, ndërsa burime nga morgu thanë se trupi i vajzës ishte shpërfytyruar, pasi maunia e kishte zënë nën rrota, duke i shkaktuar një vdekje të tmerrshme e tepër të dhimbshme. Vajza, sipas dëshmive të të pranishmëve, në momentin e aksidenit të rëndë kishte rrëshqitur dhe nuk mbajti dot ekuilibrin. Ky ishte momenti fatal, ku ajo u pengua dhe koka i preu rrotat e makinës e më pas u fut e gjitha nën të. Shoferi nuk kishte parë asgjë deri në momentin kur dikush i bërtiti të qëndronte. Sakaq, aksidenti i dytë ka ndodhur në aksin rrugor Tiranë-Durrës, ku ka gjetur vdekjen e menjëhershme 27-vjeçari Vladimir Skënderaj. Ai u aksidentua nga Ardian Xhelilaj, 37 vjeç, i cili po udhëtonte me betoniere me targa TR 5960 K.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›