Arrestohet Arben Laze
Presidenti i klubit të futbollit të qytetit të Elbasanit Arben Laze, u arrestua dje bashkë me vëllain e tij dhe dy persona të tjerë me akuzën e trafikut të drogës. Prangosja e kreut të futbollit elbasanas është bërë nga Policia e Shtetit pas një urdhërarresti të firmosur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë. Ky institucion prej muajsh kishte filluar hetimet për linjën e trafikut të drogës, në të cilën rezultonte i implikuar Presidenti i Elbasanit Arben Laze dhe vëllai i tij Fajton Laze. Si rezultat i këtij hetimi të filluar në bazë të informacioneve operative, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arritur dje të sekuestrojë 1.043 kilogramë heroinë, që ishin shitur nga vëllezërit Laze tek disa persona nga Fieri dhe Lushnja.
Trafiku i heroinës
Mesditën e djeshme, në rrugë zyrtare, Policia e Shtetit njoftoi për arrestimin e shtetasit Shkëlqim Ago Hyzmo, 43 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Çermë Sektor, Lushnje. Ai është kapur dje në orën 17.30, në flagrancë në vendin e quajtur Kthesa e Divjakës-Sektor Çermë, në Lushnje. Gjatë kontrollit në automjetin e tij tip "Benz", me targë TR 5260 G, është gjetur një sasi prej 1042 gramë lëndë narkotike heroinë. Prokuroria e Krimeve të Rënda prej disa muajsh kishte filluar hetimet për këtë çështje. Organi i hetimit për Krime të Rënda ka arritur të zbardhë gjithë mekanizmin e trafikimit të heroinës së bllokuar ditën e djeshme. Sipas burimeve nga Prokuroria, heroina e sekuestruar është porositur nga shtetasi Arben Prifti nga Fieri. Ai e ka kërkuar drogën për blerje tek Fajton Laze, vëllai i presidentit të Elbasanit. Për marrjen e drogës në dorëzim, shtetasi Prifti nga Fieri ka përdorur Shkëlqim Hyzmon, të cilit i është dorëzuar droga nga vëllai i Arben Lazes, ndërkohë që sipas përgjimeve telefonike dhe dëshmive të mbledhura nga Prokuroria, lënda narkotike ishte në pronësi të kreut të klubit të futbollit të Elbasanit.
Arrestimet
Menjëherë pas verifikimit të mekanizmit të lëvizjes së heroinës dhe zbardhjes së telefonatave të zhvilluara mes personave të dyshuar, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka urdhëruar arrestimin e të implikuarve. Pas kapjes së Shkëlqim Hyzmos në Lushnjë bashkë me drogën, me urdhër të Krimeve të Rënda policia ka vënë në pranga Arben Priftin nga Fieri. Më pas, aksioni ka vazhduar në Elbasan, ku janë vendosur në pranga presidenti i klubit të Elbasanit Arben Laze dhe vëllai i tij Fatjon Laze. Presidenti i klubit të Elbasanit mësohet se është arrestuar, ndërsa po kthehej nga një udhëtim në Maqedoni ku kishte qëndruar gjatë ditëve të fundit. Ndaj të arrestuarve, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën e "trafikimit të narkotikëve" dhe "grupit të strukturuar kriminal". Këto akuza u janë komunikuar veç e veç të pandehurve, që janë transportuar në qelitë e policisë së Tiranës menjëherë pas arrestimeve të kryera në Lushnjë, Fier dhe Elbasan.
Hetimi
Gjatë mbrëmjes së djeshme deri rreth mesnatës prokurorët dhe hetuesit e Krimeve të Rënda kanë marrë në pyetje katër të arrestuarit me akuzën e trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal. Për shkak të rëndësisë së çështjes, burimet hetimore u treguan hermetike, duke mos pranuar të bëjnë publike deklaratat që kanë dhënë të arrestuarit. Megjithatë, mësohet se hetuesit i kanë ballafaquar të akuzuarit me një sërë përgjimesh telefonike, deklarime personash me dijeni për ngjarjen dhe filmime të realizuara gjatë ndjekjes së të dyshuarve nga policia. Hetuesit më pas kanë vijuar me fiksimin e gjurmëve. d.b
te dhena
Të arrestuar
1. Shkëlqim Hyzmo, lindur më 05.11.1965 në Lushnje, shofer.
2. Arben Prifti, lindur më 19.02.1968, në Fier.
3. Arben Laze, lindur më 13.06.1968 në Elbasan, aktualisht president i Futboll Klub Sportiv Elbasan.
4. Fatjon Laze, lindur më 11.08.1978 në Shkodër dhe banues në Elbasan.
Provat materiale
• 1043 gramë lëndë e dyshuar me përmbajtje narkotike heroinë
• Një pistoletë
• 13 aparate telefonik celular.
• 4 autovetura, tre "Benz Merdeces" dhe një "Volswagen Polo".
Precedenti, eksploziv shtëpisë së Lazes
Arrestimi i djeshëm nën akuzën e trafikut të drogës në bashkëpunim, nuk është përballja e parë e presidentit të futbollit të klubit të Elbasanit me policinë. Dy vite e gjysmë më parë, më 11 gusht 2006, apartamenti i Lazes, në rrugën "Visarion Xhuvani", u bë objekt i një sulmi me eksploziv. Lënda shpërtheu në derën e apartamentit të tij, rreth orës 03:00 të mëngjesit, ndërsa sipas policisë në banesë nuk kishte pasur njeri. Ngjarja shkaktoi dëme të mëdha materiale, ndërsa nuk pati të lënduar apo të plagosur ndër banorët e tjerë të pallatit. Vetë kreu i klubit, Laze nuk ka qenë në banesë në momentin e shpërthimit dhe as pjesëtarët e familjes së tij. Veprimet paraprake të kryera nga policia zbuluan se banesa e njeriut, i cili qëndronte në krye të Elbasanit prej vitesh të tëra, kishte pasur në vatrën e shpërthimit një sasi prej rreth 200 gramë lëndë shpërthyese. Nga veprimet paraprake të kryera nga policia ishte konfirmuar, se autori i mundshëm i vënies së lëndës shpërthyese ishte njohës i mirë i zonës, në të cilën kishte ndodhur ngjarja. Pas ngjarjes policia shoqëroi në polici persona të dyshuar me të cilët Laze ka pasur konflikte por që janë lënë të lirë. Ngjarja që prej asaj kohe ka mbetur pa autor pavarësisht përpjekjeve të policisë gjatë vitit të fundit për të zbardhur disa ngjarje të rënda. Vetë Laze kishte kërkuar në polici të zbardhej ngjarja dhe autorët të viheshin para përgjegjësisë. d.b
Bashkia garanton skuadrën e Elbasanit
Pas arrestimit të presidentit të Elbasanit mbrëmjen e djeshme, ka lindur pyetja se çfarë do të ndodhë me ekipin në vazhdim të kampionatit e më tej. Kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini, njëkohësisht një nga aksionerët kryesorë të ka bërë të ditur se skuadra nuk rrezikon të shpërbëhet dhe pse presidenti Laze është i arrestuar. Sejdini u shpreh për "Panorama Sport" se financat klubi i Elbasanit i ka të garantuara dhe se për asnjë moment situata nuk ka për të qenë problematike çka mund të bëjë që klubi i Elbasanit të shpërbëhet. Aktualisht pjesa më e madhe e lojtarëve të ekipit të Elbasanit ka marrë paratë deri në fund të muajit janar. Ndërsa përsa i përket pagesave që duhet të marrin pas janarit është Bashkia e Elbasanit ajo që do të mbulojë të gjitha shpenzimet në mënyrë absolute. Kryebashkiaku deklaroi se ekipin i Elbasanit do të vazhdojë punën për ndeshjen e radhës ashtu sikur nuk ka ndodhur asgjë. Po ashtu mes aksionerëve do të diskutohet në lidhje me largimet e afrimet që do të bëhen në muajin janar, por dhe fazën përgatitore që mësohet se do të nis të zhvillohet më datë 12 janar në shtetin fqinj të Maqedonisë, më saktë në Strugë. Përsa i përket dyshes tjetër të aksionerëve të ekipit verdheblu, Bashkia e Elbasanit dhe Gentian Çërraga, pritet që të ketë një takim ditën e sotme edhe me ekipin me qëllim që të marrin në dorë situatën në këtë moment aspak të këndshëm që mund të ndikojë në demoralizimin e skuadrës tashmë kur përpara është një ndeshje shumë e vështirë ndaj ekipit të Besës në "Ruzhdi Bizhuta". Takimi pritet të kryhet sot përpara stërvitjes që do të zhvillojë ekipi verdheblu për javën e fundit të këtij viti. A. K
Nga askushi në presidentin më të famshëm të Elbasanit
ALDI KOZARIA
Në vitin 2003, kur Arben Laze do të merrte drejtimin e klubit të Elbasanit, duke pasuar presidentin në largim Refik Kumuria, pakkush në qytet e njihte mirë atë.
Laze u prezantua si një biznesmen i fuqishëm, edhe pse aktivitetet e tij kanë qenë gjithmonë enigmatike. Në atë kohë ai u zgjodh presidenti i Elbasanit pas një vendimi që u mor nga mbledhja e këshillit mbikëqyrës të klubit. Asokohe, Arben Laze kishte një dyqan veshjesh sportive, ndërkohë që përflitej se merrej edhe me biznesin e ndërtimit dhe se po ndërtonte një hotel në qytetin e Elbasanit. Mirëpo, brenda një periudhe të shkurtër, ai njeri do të shndërrohej në një personazh mjaft popullor në botën e futbollit shqiptar. Që me ardhjen e tij në postin e presidentit, Laze, i cili është zotëruesi i 49% të aksioneve, klubi i Elbasanit filloj të ngrihej me ritme shumë të shpejta. Madje, duke synuar që në kohën e marrjes së ekipit nga Laze për të qenë në vendet e para të kampionatit. Ky president fitoi një popullaritet shumë të madh në qytetin e Elbasanit kur në verën e vitit 2004 do të afronte në skuadrën verdheblu shumë lojtarë cilësore, siç ishin Nevil Dede, Endri Vrapi, Safet Osja, Skerdi Bejzade, Ilir Qorri, Juljan Ahmataj e të tjerë. Një ekip që brenda një periudhe dyvjeçare do të ngjitej në majat e futbollit shqiptar. Në fund të sezonit 2004-2005, ekipi i Elbasanit do të shpallej nënkampion i Shqipërisë dhe kjo për meritën personale të presidentit Arben Laze. Një vit më vonë do të ndodhë ajo që pritje ose më mirë ajo çfarë Laze i kishte vënë synim vetes dhe premtuar atyre që e kishin zgjedhur si president të klubit. Elbasani do të shpallej kampion. Një gjë e tillë do të ndodhë pikërisht në sezonin 2005-2006 kur Elbasani pas 22 vitesh do të arrijë të kurorëzohej me titullin kampion i Shqipërisë. Arritje këto që i dhanë Arben Lazes një reputacion të jashtëzakonshëm në mbarë opinionin qytetar në Elbasan. Kryesisht në botën e futbollit, ai do të quhej si presidenti më i guximshëm, pasi arriti synimet që i vuri vetes brenda një periudhe shumë të shkurtër. Pas shpalljes së Elbasanit kampion i vendit për të dytën herë në histori, do ta bëjë të njohur këtë skuadër edhe jashtë trojeve shqiptare. Ai së bashku me drejtues të tjerë arrijnë të licencojnë klubin e Elbasanit në UEFA duke qenë automatikisht anëtarë të forumit evropian të klubeve. Presidenti i Elbasanit, Arben Laze njihet edhe miqësinë që kishte me disa presidentë klubesh në Maqedoni. Kryesisht me ato të Vardarit, Rabotniçkit, por dhe mjaft të tjerë të cilët bënë që klubi i Elbasanit të ketë një emër të madh në arenën evropiane. Laze kalonte një pjesë të mirë të kohës në Maqedoni, edhe pse nuk dihej mirë se çfarë bënte saktësisht atje apo çfarë aktivitetesh kryente. Gjithsesi, periudha e shkëlqimit do të zgjaste pak, teksa viti 2008 do të ishte shumë problematik për presidentin e Elbasanit. Probleme që kishin të bënin me anën financiare, pasi edhe "bizneset" e tij nuk do të shkonin mirë. Dhe kjo reflektohej edhe në krizën që po kalonte klubi i Elbasanit, që pas ngjarjes së djeshme duket se rrezikon shumë.
Katër presidentët e futbollit të arrestuar nga policia
Arben Laze nuk është i pari president i një klubi futbolli në Shqipëri, që përfundon në pranga. Në të kaluarën, edhe Albert Xhani, presidenti i klubit të Partizanit, është ndeshur me organet e drejtësisë, madje ka përfunduar edhe në qeli me akuzën për tjetërsim prone e mashtrim. Mihal Delijorgji, ish-presidenti i klubit të Dinamos, aktualisht është në burg. Ndaj tij rëndon akuza për afera të pista në lidhje me tragjedinë, që ndodhi në Gërdec në muajin mars të këtij viti, ku humbën jetën shumë persona. Delijorgji është arrestuar edhe në prill të vitit 2004, asokohe president i klubit të Dinamos. Ai akuzohej për falsifikim dokumentesh dhe për evazion fiskal. Ylli Keli është i treti në listën e presidentëve të "Sport Klub Tomorit", që implikohet në afera të paligjshme. Ai u emërua në krye të klubit të futbollit pas vrasjes së Edmond Malollarit. Por vetëm pak kohë më pas, Keli u arrestua në Itali nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Edhe për ish-presidentin e klubit të Tiranës, El Sajed, shpeshherë ka pasur dyshime, se ka qenë i lidhur me afera të pista dhe korruptive. Egjiptiani, që vepronte edhe si sipërmarrës në fushën e ndërtimeve, disa herë është lakuar për veprimtari jo të ligjshme. Madje, vetëm dy ditë më parë është bërë e ditur se një nga apartamentet, që ai i kishte dhënë ish-futbollistit të Tiranës, Redi Jupit, rezultonte i shitur dy herë. Një tjetër person përveç futbollistit pretendon, se disponon dokumente të rregullta për këtë apartament.