E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-PS miratojnë Kodin, zgjedhjet në 21 ose 28 qershor

 

BLEDAR HOTI

Komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore miraton dekretin e presidentit Bamir Topi, duke i dhënë të drejtën që në shpalljen e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ai të mos e shkelë Kushtetutën. Komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore është mbledhur dje pasdite për të shqyrtuar dekretin për rishikimin e Kodit Zgjedhor. Demokratët dhe socialistët kanë rënë dakord që të realizohet një dispozitë kalimtare, e cila detyron kreun e shtetit, që shtatë ditë pas miratimit të Kodit Zgjedhor të shpallë datën e zgjedhjeve. Sipas njoftimin për median, Komisioni i Posaçëm i reformës zgjedhore mori në shqyrtim propozimin e grupit te ekspertëve dhe miratoi një dispozitë kalimtare që përcakton periudhën kohore për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve: "Dekretimi i datës së zgjedhjeve të radhës: Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve të radhës për Kuvend të vitit 2009,  jo më vonë se 7 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, në përputhje me pikën 1 të nenit 9 të këtij Kodi", thuhet në ndryshimin e propozuar. Pas këtij propozimi realizohet mundësia që kreu i shtetit të shpallë datën e zgjedhjeve parlamentare pa shkelur Kushtetutën. Pika një e nenit 9 parashikon "dita e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, sipas rregullave të përcaktuara në nenin 65 të Kushtetutës. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në një nga të dy të dielat e fundit brenda periudhës zgjedhore, të përcaktuar në nenin 9 të këtij Kodi, dhe në çdo rast jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit". Në bazë të nenit 8 të Kodit dhe të dispozitës tranzitore, sipas anëtarëve të komisionit, presidenti Bamir Topi duhet të shpallë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në njërën prej këtyre dy datave, 21 ose 28 qershor. Për këto zgjedhje do të përdoret dispozita tranzitore, ndërsa për zgjedhjet e tjera parlamentare që mbahen pas 2009, presidenti do të detyrohet t'i shpallë ato 9 muaj përpara. Komisioni i posaçëm nuk ka marrë në shqyrtim amendamentet e LSI-së dhe të PDK-së, duke mos i marrë në konsideratë për shkak se nuk ishte objekt i dekretit të kthyer nga presidenti. Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm, socialisti Fatmir Xhafaj theksoi se amendamentet e LSI-së dhe të PDK-së nuk kanë qenë objektive. Ndërsa deputeti i LSI-së, Spartak Braho, pas mbledhjes i bëri thirrje PS-PD që të reflektojnë deri në momentin e miratimit të dekretit në seancën parlamentare. Sipas tij, PS-PD kanë qenë kundër vendimit të presidentit Topi për rishqyrtim, gjë që e kanë cilësuar si antikushtetuese. Ndërsa votimi i dekretit të Presidentit do të realizohet të hënën ose të martën e ardhshme, ende nuk është përcaktuar mënyra se si do të hyjë në fuqi një dekret. Nëse do të hyjë në fuqi menjëherë, Kuvendi paraprakisht i duhet të marrë parapëlqimin e kreut të shtetit, Bamir Topi për një gjë të tillë.

Argumenti i Topit
Neni 9, pika 2 e Kodit për shpallje e zgjedhjeve, ka përcaktuar detyrimin e Presidentit të Republikës për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, pra, një afat i cili nuk mund të respektohet për periudhën zgjedhore 15 mars - 30 qershor. Ligji është dërguar për shpallje te Presidenti i Republikës në datë 24.11.2008, dhe procedura e dekretimit të ligjit nga Presidenti i Republikës, publikimit në Fletoren Zyrtare dhe hyrjes në fuqi të tij, parashikon një periudhe kohore të caktuar, duke krijuar kështu pamundësi reale për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve për periudhën zgjedhore 15 mars - 30 qershor.

Vendimi i Komisionit
Komisioni  mori në shqyrtim propozimin e grupit të ekspertëve dhe miratoi një dispozitë kalimtare që përcakton periudhën kohore për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve, me përmbajtjen si më poshtë: Dekretimi i datës së zgjedhjeve të radhës; Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve të radhës për Kuvend të vitit 2009, jo më vonë se 7 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, në përputhje me pikën 1 të nenit 9 të këtij Kodi. Me miratimin e kësaj dispozite Komisioni i Reformës Zgjedhore përfundoi punën e tij për shqyrtimin e dekretit. Raporti i Komisionit do t'i paraqitet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.

Koçi: PS të rishikojë aleancat
Kreu i PS 91 ka sulmuar qëndrimin e mbajtur nga ana e PS-së në lidhje me Kodin Zgjedhor dhe me aleancat brenda së majtës. "Duhet të kujtoj se Kodi i miratuar me një marrëveshje, pazar ndërmjet Ramës dhe Berishës që ka cenuar kohezionin e së majtës politike në Shqipëri. Do të ishte në nderin e PS-së që të korrigjonte qëndrimin e vet, e rilidhë një pozitë bashkëpunimi si në pragun e zgjedhjeve të kaluara lokale. Duhet të kujtoj veprimet e forta të tipit bojkotues mund të ndërmerren dhe për një Kod Zgjedhor, por do të ishte edhe më e moralshme që të ndërmerreshin me rastin e tragjedisë së Gërdecit. Veprim që nuk u ndërmor kurrë, por që u pasua në fund të fundit të me rrahjen e shpatullave të kryeministrit Berisha me emrin e asaj që quhet politikë e re", deklaroi Koçi. Kreu i PS 91 theksoi se qëndrimet e kryeministrit Berisha në raport me kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë si SHBA dhe BE është sfiduese, duke risjellë Shqipërinë në pozitën e pragvitit 1997.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›