Publicitet propagandistik në kohën e diktaturës
Alma Mile
Edhe 40 vjet më parë, shqetësimet e përditshmërisë ishin po ato. Kursimi i energjisë elektrike, uji, shtypi i ditës, politika... Por mënyra se si trajtoheshin, sigurisht ishte e ndryshme 40 vjet më parë. Për të gjitha këto propagandohej, me zë të lartë madje. I kushtoheshin pllakate e banderola, që viheshin ngado, nëpër muret e pallateve, uzinave, shkollave... Me ngjyra të kuqe, shumë të kuqe. Shenja që tek-tuk ruhen edhe sot. Në këtë atmosferë na kthejnë një seri pllakatesh të realizuara nga piktori shkodran Franc Ashiku, të ekspozuara në galerinë "Zeta". Titullohet "Një vepër për një krijimtari" dhe përkon me 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të piktorit. Teksa lëviz nëpër galeri, vendosesh në një tjetër realitet. Në ato kohëra kur "Ujitja ishte detyra e ditës në bujqësi", kur zhvillohej Kongresi i VII i PPSH-së, kur "Zëri i Popullit", ishte gazeta më e madhe në vend, kur grave të reja u kushtohej muaj më vete, kur java e librit shqip, festivali kombëtar i teatrove dramatike, apo festivali folklorik i Gjirokastrës, përbënin festa të mëdha. Të gjitha këto, sot duken absurde, qesharake, por aso kohe ishin të një rëndësie të veçantë. Si edhe shumë artistëve të tjerë, Franc Ashikut (1924-1998) i takoi të krijonte në një periudhë të vështirë, në atë të diktaturës komuniste, që më shumë se kudo, në fushën e artit ndërhyri ashpër duke penguar lirinë e krijimit. Teknika që ai lëvroi ishte më shumë një vegël propaganduese dhe Ashiku, nuk mund t'i shpëtonte kësaj linje. E kundërta ishte me pasoja ekstreme, burgimi apo persekutimi. Në pamje të parë, veprat e tij në pllakate ngjajnë me shumë syresh, që ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve e galeri të rretheve, që mbajnë firma të autorëve të ndryshëm. Tematika është po ajo, ngjyra e kuqe e ndezur, germat e "lavdishme", sloganet... Vetëm se specialistët thonë se tek pllakati i Ashikut vihen re elementë modernistë. Sipas kuratorëve të ekspozitës, Edi Hila dhe Zef Paci, ekspozita e Franc Ashikut, tenton të tregojë një moment të rëndësishëm të zhvillimit të grafikës në vendin tonë. "Pllakati në atë kohë ka qenë tërësisht politik dhe në pjesën më të madhe mbështetej mbi strukturën konceptuale dhe formale të pllakatit sovjetik. Franc Ashiku, me shumë kujdes mundi të dalë në situata krijuese antikonformiste, duke servirur një ritëm e formë kompozicionale, jashtë skemave me një zbërthim sintetik të konceptit apo temës së pllakatit", thonë kuratorët. Kjo vihet re në teknika, por edhe një linja. Aso kohe dora e Ashikut ndihej në panaire, në industrinë e tekstilit, apo në ekspozita përvjetorësh, ku tregoheshin arritjet dhe fuqia ekonomike e vendit, ku paraqitja e tyre, kuptohet, bëhej në eksponatet e improvizuara, të cilat ishin edhe treguesit e kulturës në fushën e dizenjimit grafik të asaj kohe. "Në këto raste, ai ka ndërhyrë në krijimin e ambienteve të ekspozimit, duke bërë efekt të madh tek publiku i asaj kohe, me shijen e hollë dhe shkallën e abstragimit, të elementëve simbolikë, përmes një grafike, për atë kohë, mjaft bashkëkohore dhe të një dizenjimi të interierit, modern", vazhdojnë ata. Në gjininë e pllakatit, duket se Ashiku, ishte ndër më të mirët. Në vitin 1958 ai merr pjesë në ekspozitën ndërkombëtare të pllakatit, "Paqe Botës", të organizuar në metronë e Berlinit, me veprën "Pëllumbi i paqes".
Në galerinë "Zeta" janë ekspozuar rreth 20 punë të Ashikut, shumica në pllakat, të cilat ruheshin në galerinë e Arteve në Shkodër. Ndërsa pjesa tjetër është pikturë, e realizuar kryesisht në vitet '90-'91. "Ato përçojnë një ndjesi nostalgjie për qytetin e paradiktaturës me motivet e ritmet e veta, me nuse që ngjajnë me flutura mëndafshi apo kërmij, që endin e bartin me vete ngado shkojnë pajën e tyre. Ato kanë një stilizim herë dekorativ e herë plot atmosferë, që e gjen në ngjyrat e petkave të grave shkodrane e stolisjeve me motive të arkave të nuseve e të krejt mjediseve ku banojnë, duke evokuar përmes dyerve me hark, luleve e zogjve, situata ëndërrimtare", thotë Zef Paci. Ajo që të bën më shumë përshtypje është kombinimi i ngjyrave të gjalla, që vihet re edhe në pllakat, pavarësisht tematikës.