Ligji i Prokurorisë, PD tenton votimin
BLEDAR HOTI
Maxhoranca dështon në shqyrtimin në Komisionin Parlamentar të Ligjeve për Prokurorinë e Përgjithshme. E mbledhur pas seancës parlamentare, Komisioni i Ligjeve në orën 14:00 ka tentuar të zhvillojë mbledhjen për diskutimin e projektligjit shumë të debatuar mes maxhorancës dhe opozitës. Njoftimi për mbledhjen e Komisionit Parlamentar u bë që në seancën parlamentare, por opozita nuk ishte e pranishme. Ndërsa edhe pse një pjesë e deputetëve të maxhorancës ishin në mbledhje, të tjerët nuk kanë preferuar që të jenë prezent aty. Deputetët e pranishëm të Komisionit të Ligjeve, zv.ministri i Drejtësisë, Viktor Gumi, Drejtoresha e Kodifikimit, Marsida Xhafkollari, kanë pritur për më shumë se gjysmë ore dhe nuk kanë zhvilluar shqyrtimin e projektligjit "Për funksionimin e organizimin e Prokurorisë së Përgjithshme". Deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm për shkak se kishin shpallur bojkotin se nuk do të merrnin pjesë në asnjë diskutim parlamentar pa u miratuar më parë dekreti i presidentit për Kodin Zgjedhor. Komisioni i Ligjeve nuk pranoi që media të ishte e pranishme. Në komision kanë qenë të pranishëm deputetët e PD-së Eris Hoxha, Dashnor Sula, Ilir Rusmali, Sali Shehu, Pal Dajçi, Ramiz Çoba dhe Aldo Bumçi. Dhe pse gjatë kësaj kohe janë kontaktuar me telefon deputetët zëvendësues, nuk është realizuar kuorumi i nevojshëm për të shqyrtuar projektligjin. Raportet mes maxhorancës dhe opozitës janë 13 me 8. Të gjithë deputetët e maxhorancës kanë munguar në mbledhjen e thirrur nga maxhoranca, duke mos pranuar që të diskutohet drafti i qeverisë. Gjithashtu kanë munguar edhe një pjesë e mirë e deputetëve të maxhorancës, Arenxa Trashani e PD-së, Spiro Peçi i PBDNJ-së, Arjan Madhi i PR-së, Galip Ramadhi i PR-së, Gjovalin Prenga i PD-së, Flori Bajramaj grupi i "Qendrës" dhe Spiro Peçi i PBDNJ-së. Mungesa e këtyre deputetëve, që ndikonte në realizimin e kuorumit të nevojshëm prej 13 depute-tësh, ka bërë që maxhoranca të mos e realizojë mbledhjen, duke kërkuar në të njëjtën kohë që për këtë projektligj të rëndësishëm të pritet edhe qëndrimi i opozitës. Nisur nga fakti se projektligji për "Organizimin e Prokurorisë së Përgjithshme" është pjesë e paketës së reformës në sistemin e drejtësisë, kryekomisioneri Ilir Rusmali ka vendosur që t'i drejtohet edhe një herë përfaqësueses të maxhorancës. Komisioni ka vendosur që ky projektligj të diskutohet ditën e premte, në ora 10:00. Për zhvillimin e kësaj mbledhje në këtë datë janë njoftuar edhe anëtarët e opozitës. Kuvendi në kalendarin e punimeve të këtij fundviti ka parashikuar që votimi për projektligjin e "Prokurorisë" të realizohet ditën e hënë më 29 dhjetor.
Munguan ne komision
1. Arenca Trashani
2. Spiro Peçi
3. Arjan Madhi
4. Galip Ramadhi
5. Gjovalin Prenga
6. Flori Bajramaj
7. Spiro Peçi