E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Xhufi, replika për Bahri Omarin në Kuvend

 

Çështja e projektligjit të Mjedisit ka risjellë në Kuvendin e Shqipërisë debatet për ligjin e dosjeve dhe të historisë shqiptare. Debati më i ashpër është zhvilluar ndërmjet kryeministrit Sali Berisha dhe nënkryetarit të LSI-së, deputetit Pëllumb Xhufi. "Me duhet të shpreh, se zoti Xhufi kur del këtu si historian i leshit dhe jo i asaj që duhet të jesh, ndjej keqardhje. Ta them se e meriton këtë, se ke dalë na ke bërë historinë e tregtisë së leshit në Ballkan. Më mirë shkruaj një libër për Bari Omarin, ki kurajon dhe shkruaje se ka vdekur si burrat. Ke parë ti historian në Parlament që merret me tregtinë e leshit. Ku e eksportonin shqiptarët? Jo se ta përdorësh keq foltoren të kthehet në bumerang, prandaj më lër të flas mos më ndërpre", iu drejtua Berisha. Ndërsa deputeti i LSI-së, Xhufi, i  ka kërkuar kryeministrit që të mos ta ngacmojë. "Çfarë burri je, na bën historinë e leshit këtu. Pra problemi i dytë i dashur deputet Neranxi është çështja e antiglobalëve. Ruaju se ti për definicion ke qenë antimarksist leninist, varianti i ri i marksist leninistëve janë antiglobalë. Dhe meqë atyre u ka humb doktrina, tani ka dalë se ajo ishte një doktrinë barbare, ndaj duan të spekulojnë me mjedisin. I nderuar deputet, ruaju nga këto dy gjëra dhe ta mbrojmë bashkarisht mjedisin", vijoi Berisha. Xhufi nga ana e tij kërkoi që kryeministri të mos abuzojë me fjalimet e tij për çështjet e historisë. "Zoti kryeministër ju rihapët një bisedë që mendova se ishte mbyllur dhe në stilin tuaj hytë përsëri në jetën e familjes sime, në intimitetin e njerëzve. Po u them një gjë lidhur me Bari Omarin, unë e kam respektuar që nga koha kur fillova të arsyetoj. Nuk qe nevoja të bëhesha dhëndër i Luan Omarit për ta respektuar dhe e respektoj për aq sa meriton të respektohet. Por Bari Omari, në një moment të caktuar të jetës ka bërë një gabim dhe u dënua në një mënyrë që nuk duhet të dënohet. Dhe unë për këtë jam i qetë. Zoti kryeministër, ti nuk mund të jesh historian, se historiani gjykon çdo gjë sipas kohës së vet", replikoi Xhufi. Ai i kërkoi Berishës "që mos u ktheni te kjo çështje, nuk i trajtoni mirë ju këto, nuk keni as qetësinë, nuk keni as pastërtinë, integritetin e duhur se jeni shumë i komplikuar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›