Bora pushton vendin, ortekët bllokojnë rrugët dhe izolojnë udhëtarët
Deri në orët e vona të mbrëmjes dëbora ka bllokuar thuajse të gjitha akset në veri të vendit, duke izoluar me dhjetëra mjete, sidomos në qarkun e Kukësit dhe të Shkodrës. Deri dje pasdite kishte pasur probleme me furnizimin me energji elektrike në qarqet e Dibrës dhe të Lezhës, ndërsa në Elbasan ishin izoluar për më shumë se 5 orë disa nxënës që po udhëtonin me autobus në fshatin Shmil. Burimet zyrtare të prefekturës së Kukësit bëjnë të ditur se mbrëmë janë bllokuar 60 pasagjerë në fshatin Lusën, rreth 25 kilometra larg qytetit, gjë që ka sjellë alarmimin e autoriteteve vendore. Burimet në qarkun e Shkodrës raportojnë se disa akse rrugore në Pukë janë bllokuar si pasojë e rënies së ortekëve, por nuk janë shënuar viktima apo dëme materiale.
Situata në Kukës
Pasagjerët e gjashtë furgonëve të linjës lokale Bushtricë-Kukës, u bllokuan mbrëmë në rrugën nacionale Kukës-Peshkopi nga shtresa e trashë e borës që ishte grumbulluar në rrugë dhe u strehuan për të kaluar natën në fshatin Lusën. Furgonat me rreth 60 pasagjerë ishin nisur në orën 13:00 nga fshati Bushtricë, 40-45 kilometra në jug të Kukësit, po kur arritën pranë fshatit Lusën, rreth 25 kilometra larg Kukësit, u bllokuan nga bora që në atë zonë arrin rreth 1 metër. Burime zyrtare nga prefektura e qarkut të Kukësit thanë se drejt furgonëve të bllokuar kanë nisur një borëpastruese. Të njëjtat burime bënë të ditur se pasagjerët, të cilët janë nga fshatrat e asaj zone - Bushtricë, Fshat e Buzëmadhe, mbrëmë janë strehuar në familjet e fshatit Lusën, fshat i vogël me rreth 100-150 shtëpi afër rrugës nacionale Kukës-Peshkopi.
Ortekë në Pukë
Reshjet e borës kanë bllokuar mbrëmë pjesën më të madhe të akseve rrugore që lidhin Pukën me zonat e thella malore, ndërsa gjatë ditës së djeshme ka pasur edhe ortekë bore. Dje pasdite prefekti i qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu, në cilësinë e kryetarit të Shtabit të Emergjencës, zhvilloi një mbledhje me pjesëtarët e këtij shtabi.
"Rifillimi i borës i detyroi punonjësit e Drejtorisë së Rrugëve Rurale të ndërpresin punën që vazhdojnë nga dita e mërkurë për hapjen e rrugës Selcë-Vermosh. Kjo drejtori ka marrë me kontratë disa mjete borëpastruese të cilat janë në gatishmëri të ndërhyjnë për hapjen e rrugëve në komunat Vermosh, Shalë, Shosh, pasi të pushojnë reshjet", - i tha prefekti. Sipas këtij informacioni, në rrugën Pukë-Fierzë dje në mesditë ra një ortek në fshatin Porav, i cili ka bllokuar këtë pjesë të rrugës. Drejtoria Rajonale e Rrugëve ka përqendruar në këtë zonë tri borëpastruese, të cilat po punojnë për hapjen e rrugës. Ai bëri të ditur gjithashtu se në aksin Shkodër-Pukë, në fshatin Qafë-Qelë, ka pasur shkarje dheu dhe në rrugë kanë rënë baltë e gurë, por ndërhyrja e mjeteve të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve, bëri që ky aks të hapet shumë shpejt.
Bllokohen nxënësit
Një autobus shkolle mbeti i bllokuar për më shumë se 5 orë në Qafën e Shmilit rreth 20 km larg qytetit të Elbasanit si shkak i reshjeve të rënduara të dëborës. Autobusi u bllokua rreth orës 07:30 të mëngjesit të djeshëm dhe gjatë ditës u punua me lopata nga Ndërmarrja e Mirëmbajtjes së Rrugëve për të bërë të mundur zhbllokimin e tij. Njëzet nxënës të shkollës së Qafë Milit, bashkë me mësuesit e tyre, nuk lëvizën nga autobusi deri në zhbllokimin e rrotave të tij. Që në çastin e parë nxënësit dhe mësuesit njoftuan drejtuesit e ndërmarrjes për bllokimin e autobusit të tyre, ndërsa po shkonin drejt shkollës ku zhvillojnë mësimin. Autobusi është i linjës Elbasan-Qafë Shmil dhe ishte nisur nga Elbasani si çdo ditë për të mbledhur mësuesit dhe nxënësit e fshatrave deri në shkollën e Qafë Shmilit. Vetëm në mesditën e djeshme u normalizua situata dhe nxënësit e mësuesit e tyre u kthyen në banesa pa zhvilluar mësimin si zakonisht.
Ndërsa në rrethin e Kurbinit raportohet se janë izoluar plotësisht 5 fshatra. Sipas informacioneve të marra, rrugët rurale në këtë zonë janë krejtësisht të bllokuara.
Ndërkaq, prej 6 ditësh banorët po përballen me mungesa të theksuara të energjisë elektrike. E rëndë situata paraqitet edhe në disa fshatra të thellë të qarkut të Dibrës. Të bllokuara mbeten komuna e Ostrenit, Kalaja e Dodës e Lura.
Rrëshqitjet e dheut
Ndërsa në veri bora ka izoluar gjithçka, në jug ka probleme me reshjet e shiut, të cilat po shkaktojnë rrëshqitje të dherave. Dashamir Zyberi, specialist në Zyrën e Urbanistikë pranë Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës, tha se në dy zona në qytetin e gurtë, në Kodrën e Shtufit dhe në zonën midis lagjes “11 Janari” dhe "Punëtori”, ka rrezik të ndodhë një rrëshqitje masive dheu, për shkak të përbërjes gjeologjike të zonës. E njëjta gjë vihet re në disa lagje të qytetit të Libohovës, ku vazhdimisht ka pasur probleme të tilla, si dhe në fshatin Llongo, të komunës së Dropullit të Sipërm, rreth 25 kilometra larg Gjirokastrës, ku dy vjet më parë u shembën disa shtëpi për shkak të rrëshqitjes masive të tokës. “Ndërtimet që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen në Kodrën e Shtufit kanë probleme”, - thotë Zyberi. "Në qoftë se Bashkia e Gjirokastrës nuk merr parasysh mendimin e specializuar të gjeologut, të tjera ngjarje të hidhura mund të ndodhin, madje më të rënda se ajo e 9 nëntorit të kaluar", - vëren ai.
E njëjta situatë është edhe në Sarandë. Pas reshjeve të fundit, banesat e një lagjeje janë në rrezik shembjeje. Në komunën e Markatit, nga rrëshqitja janë zhvendosur me dhjetëra metra kub dhe’, duke shkaktuar çarje të disa banesave.
9 Janar 2009