E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet me plumb në kokë dhe digjet taksisti

Ramazan Hyka, nga fshati Fikas, u gjet i shkrumbuar nga disa banorë në afërsi të Liqenit të Farkës

Tiranë – Punonte si taksist i palicencuar për t’u ushqyer, por dje u gjet i vrarë dhe i djegur brenda në makinën e tij. Ky ka qenë fati i zi i një të riu shofer, i identifikuar nga policia pas disa orësh si Ramazan Hyka, 35 vjeç, lindur e banues në fshatin Fikas pranë Mulletit, i gjetur nga disa banorë të kryeqytetit në afërsi të Liqenit të Farkës. Vrasja i ngjan një ekzekutimi mafioz, ndaj dhe në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore, madje edhe drejtuesit më të lartë të policisë së Qarkut të Tiranës.
Vendngjarja
Gjetja e kufomës u njoftua në polici pasditen e djeshme dhe ekspertët kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë konstatuar kufomën brenda një makine në afërsi të Liqenit të Farkës. Ekspertët policorë thanë se viktima ishte e moshës rreth 30 deri 40 vjeç. Po sipas tyre, i ndjeri ishte ekzekutuar dhe më pas ishte djegur në makinën e tij. Mendohej se ai mund të punonte si një taksist i palicencuar. Ekzekutimi dhe më pas djegia e taksistit, bazuar edhe në dëshmi të banorëve aty pranë, mendohet të jetë realizuar në orët e para të së enjtes. Vendi i ngjarjes është një rrugicë pak e rrahur nga automjetet dhe kalimtarët, gjë që ka favorizuar edhe agresorët e tij.
Ekzekutimi
Burime zyrtare të policisë së kryeqytetit thanë për gazetën “Albania” se viktima është vrarë me një plumb në kokë dhe më pas makina e tij është shtyrë deri në fund të rrugicës, pikërisht atje ku i është vënë edhe zjarri. Ramazan Hyka ishte larguar të mërkurën pasdite nga shtëpia e tij në fshatin Fikas të Mulletit dhe prej atij momenti familjarët nuk kanë pasur më asnjë informacion rreth vendndodhjes së tij. Duke iu referuar të dhënave policore, i ndjeri Hyka punonte për vite të tëra si taksist i palicencuar, pranë Liceut Artistik në Tiranë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes misterioze.

9 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›