Minierë ari në qendër të Tiranës
TIRANË - Një minierë e vërtetë ari, i cili dyshohet të hynte nga Greqia për në shtetin tonë, nëpërmjet pikës kufitare të Tri Urave, është sekuestruar dje deri në gramin e fundit të tij. E dyshuar gjithashtu si punishtja që furnizonte pikat më të mëdha të floririt në Tiranë, ajo ka pushuar së ekzistuari rreth pasdites së djeshme, kur oficerët e Sektorit të Antikrimit Ekonomik arrestuan dy pronarët e saj, vëllezërit Astrit dhe Genci Lamçe. Burime të besueshme policore bënë të ditur për gazetën, se nga hetimet paraprake rezulton që floriri ka si origjinë shtetin turk, i cili transportohej drejt Greqisë e më pas hynte në shtetin tonë, ku i viheshin etiketa false e shitej në argjendari si flori i cilësisë së parë. Operacioni u kodua “Ora e florinjtë” dhe sekuestroi rreth 200 kilogramë flori, 210 mijë euro, 15 milionë lekë shqiptare dhe 500 dollarë amerikanë.
Operacioni
I koduar “Ora e florinjtë”, operacioni i organizuar nga Sektori Kundër Krimit Financiar në policinë e Tiranës, në bashkëpunim me “Task Force”, arrestoi dy vëllezër, të cilëve iu sekuestroi 2 kuintalë flori. Sipas burimeve zyrtare policore, u bë e ditur se në pranga ranë Astrit dhe Genci Lamçe, 45 dhe 38 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Shkak për arrestimin e tyre mësohet të jetë bërë trafikimi i florinjve nën etiketa false. Aksioni policor u zhvillua në rrugën “Pasho Vasa”, pranë Gardës së Republikës, vend në të cilin dy vëllezërit kishin në katin e parë të një pallati një banesë që shërbente si punishte për vënien e etiketave false në floririn që blinin jashtë shtetit. Sipas të njëjtave burime, mësohet se floriri vinte nga jashtë shtetit e më pas shitej në Shqipëri, nën emrin e firmave të njohura të floririt. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 2 kuintalë flori, dy shufra floriri me peshë 1 kilogram secila, shuma e parave prej 210 mijë eurosh, 1 milion e 500 000 lekë shqiptarë, 500 dollarë, si dhe shumë ambalazhe dhe etiketa të firmave të njohura.
Rrjeti
Burime të besueshme policore bënë të ditur për gazetën, se aktiviteti i tyre i jashtëligjshëm shtrihej në shumë zona të Tiranës. Punishtja e vëllezërve Lamçe ishte furnizuesja e shumë argjendarive të mëdha në kryeqytet. Ndërkohë që shufrat e florinjta të sekuestruara dyshohet se mund t’i jenë vjedhur thesarit të shtetit përgjatë vitit 1997. Sipas burimeve, bëhet e ditur se vlera e floririt të sekuestruar, me vlerën e tregun të sotëm, kap shifrën e mbi 1 milion eurove. Burimet theksojnë se ka dyshime për të tjerë persona të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, që ndihmonin në futjen në Shqipëri të floririt kontrabandë.