Arrestohet Ilirjan Dida
25/02/2005 Arrestohet nga policia e kryeqytetit Ilirjan Dida. Burime zyrtare nga Ministria e Rendit Publik, bëjnë të ditur se nga Policia Gjyqësore e Komisariatit nr.2, u zbatua urdhri i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, i datës 24.02.2005, “Për ekzekutimin e Vendimit Penal të Gjykatës së Apelit Gjirokastër me Nr.19, datë 23.02.2005. Në bazë të këtij vendimi, deklarohet fajtor shtetasi Ilirjan Qani Dida, për veprën penale të 'Marrjes së Mitës', kryer në bashkëpunim. Në bazë të neneve 260 e 25 të Kodit Penal, dënohet me 4 (katër) - vjet burgim. Vendimi ka marrë formë të prerë në datën 23.02.2004. Në njoftimin për shtyp dhënë me këtë rast nga zëdhënësi Florion Serjani, mësohet se pak minuta përpara se oficerët e policisë gjyqësore të ekzekutonin urdhrin e arrestit, shtetasi Ilirjan Dida ka dalë nga banesa dhe ka tentuar të largohet, por është bllokuar nga policia. Ai ka kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë, të cilët e kanë shoqëruar për në komisariat, ku dhe është kryer arrestimi.