Tritol dyqanit tek "Josif Pashko"
25/02/2005 Ora 02:00 e së djeshmes ka shënuar shpërthimin e një sasie tritoli në një lokal në zonën e Laprakës. Burime zyrtare nga Komisariati i policisë nr.3, deklarojnë se lënda eksplozive është konstatuar në afërsi të ish-kombinatit "Josif Pashko", në pronën e Nik Lekës. "I zoti i dyqanit e ka shtëpinë pak metra më tej. Ai ka dëgjuar shpërthimin dhe është shqetësuar, fillimisht nga zhurma. Vetëm kur ka dalë në dritare për të parë se ç'kishte ngjarë, ai vërejti se i kishin shkatërruar pronën", saktësojnë uniformat. Leka ka nxituar menjëherë drejt dyqanit, për të evidentuar shkallën e dëmeve. Fatmirësisht ato nuk shënonin shifra të larta. E megjithatë, 40-vjeçari ka parë të udhës të denoncojë në polici atë që i ngjau. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se, Nik Leka ka mohuar faktin se mund ta kenë dëmtuar për motive hakmarrjeje. Ai ka dëshmuar se në këto vite banimi në Laprakë, nuk është konfrontuar me askënd dhe shkon mirë me të gjithë klientët e tij. Nuk përjashtohet mundësia që autori i vendosjes së eksplozivit të jetë ndonjë i njohur i Lekës. Duke iu referuar defterit të borxhlinjve në dyqanin e shkatërruar, dyshohet se ka qenë ai qëllimi i banditëve. "Ndoshta kanë dashur të zhdukin listën e borxheve ku mund të jetë dhe emri i tyre. Po i intensifikojmë hetimet tek këta persona, pasi kemi shpresë se këtu fshihet autori", përfundojnë burimet nga Komisariati nr.3. F.Bramo