E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dervishi: Dida tentoi t'i ikë policisë

25/02/2005  Arrestohet ish-drejtori, policia ekzekuton urdhrin e Prokurorisë

Arrestohet nga policia e kryeqytetit Ilirjan Dida. Burime zyrtare nga Ministria e Rendit Publik, bëjnë të ditur se nga Policia Gjyqësore e Komisariatit nr.2, u zbatua urdhri i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, i datës 24.02.2005, “Për ekzekutimin e Vendimit Penal të Gjykatës së Apelit Gjirokastër me nr.19, datë 23.02.2005. Në bazë të këtij vendimi, deklarohet fajtor shtetasi Ilirjan Qani Dida, për veprën penale të 'Marrjes së Mitës', kryer në bashkëpunim. Në bazë të neneve 260 e 25 të Kodit Penal, dënohet me 4 (katër) vjet burgim. Vendimi ka marrë formë të prerë në datën 23.02.2004. Mbrojtja pretendon se Ilirian Dida është dhunuar nga policia, ndërsa Drejtoria e Policisë thotë se ish-komisari, për të cilin kishte urdhërarresti tentoi të ikte. Në njoftimin për shtyp, dhënë me këtë rast, nga zëdhënësi Florion Serjani, mësohet se pak minuta përpara se oficerët e policisë gjyqësore të ekzekutonin urdhrin e arrestit, shtetasi Ilirjan Dida ka dalë nga banesa dhe ka tentuar të largohet, por është bllokuar nga policia. Ai ka kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë, të cilët e kanë shoqëruar për në komisariat, ku dhe është kryer arrestimi në bazë të urdhrit të lëshuar nga prokurori.

Drejtoria

"E kishim njoftuar Ilirian Didën se duhej të qëndronte në banesë, sepse ne prisnim të na vinte nga Gjirokastra urdhri i arrestit dhe vendimi i Gjykatës së Apelit. Ai pranoi atë çka ne ligjërisht i kërkuam, por nuk bëri të njëjtën gjë". Drejtori i Policisë së Tiranës, kryekomisar Albert Dervishi, pohon se ka një urdhër të firmosur nga prokurori, ka një vendim të Gjykatës së Apelit, që është i formës së prerë, urdhra dhe vendime këto që i kërkojnë policisë së Tiranës arrestin e shtetasit Ilirian Dida. Urdhri ka hyrë në fuqi më 23 shkurt, por ne, pohon Devishi, nuk e ekzekutuam, për sa kohë nuk na kishte mbërritur zyrtarisht në Drejtorinë e Tiranës. Drejtuesi i Policisë së Tiranës, pohon se janë marrë masa që Dida të qëndrojë në banesë dhe policia të zbatojë urdhrin e prokurorisë e vendimin e gjykatës. Drejtori Dervishi pohon se Ilirian Dida ka dashur të ikë, të mos i bindet policisë, ka marrë një makinë dhe ka dashur të largohet me forcë, duke kundërshtuar agjentët të bëjnë detyrën. Ky veprim, saktëson kryekomisar Dervishi, ka qenë momenti kur policia ka ndërhyrë për të mos lejuar, që Dida të jetë sot një person në këkrim, e jo një i arrestruar, siç kërkonin organet e drejtësisë. Veprimet janë kryer, sipas kryepolicit kryeqytetas, kur urdhrat kanë mbërritur në Tiranë.

Dhuna

Sa i takon pretendimit të Didës se është rrahur, goditur dhe dhunuar, drejtori i policisë pohon se ai nuk është prekur me dorë, nuk është rrahur apo goditur. Të gjitha këto pretendime, sipas policisë, vijnë pas arrestimit, pasi ai nuk realizoi arratisjen dhe besonte se ne nuk do ekzekutonim urdhrin e prokurorisë dhe gjykatës.

Vendimi i Apelit

Gjykata e Apelit Gjirokastër ka marrë dy ditë më parë një vendim të formës së prerë, që linte në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke e dënuar ish-komisarin Ilirian Dida, me katër vjet burg. E njëjta gjykatë ka dënuar dhe shoferin e ish-funksionarit, Asllan Ramën, me 3 vjet heqje lirie. Sipas trupit gjykues, që ka marrë vendimin, dy të pandehurit e kanë kryer veprën penale në vitin 1998, duke përfituar 5 milionë dhrahmi nga shtetasi lazaratas, Kastriot Basha. Këto para, sipas gjykatës, janë marrë me pretendimin për të mbyllur një çështje penale, që rëndonte në ngarkim të Bashës, në vitin 1997. Ky është arrestimi i dytë i ish-drejtorit të policisë, pas largimit nga detyra.

Avokati: Iliriani është rrahur nga policia

"Ilirian Dida, gjatë shoqërimit dhe arrestimit nga policia e Tiranës, është dhunuar, është goditur me sende të forta, ka hematoma dhe nuk është lejuar që të vizitohet nga mjeku". Hasaf Hadëri, një nga avokatët mbrojtës të ish-komisarit të policisë të arrestuar dje për të dytën herë, ka pohuar se klienti i tij i ka komunikuar dhunën e ushtruar nga specialët. Sipas mbrojtjes, Dida ka dashur të bëjë kallëzim në prokurori, për keqtrajtimin, por kjo nuk është marrë parasysh nga uniformat që e kanë shoqëruar në komisariat. Unë, pohon Hadëri, kisha takim me Ilirianin, pasi në orën 9 e 30 minuta kishim një seancë gjyqësore. Rreth orës 8 e 45 minuta kanë ardhur dhe e kanë marrë forcat e policisë dhe e kanë mbajtur deri në orën 15. Sipas juristit mbrojtës, gjatë këtyre orëve Dida është mbajtur pa ndonjë shkresë, që lejonte shoqërimin apo arrestimin. Për këtë, thotë avokat Hadëri, u kërkua të bëhej një denoncim, që iu mohua, ndërsa mjeku një tjetër kërkesë e Ilirianit, nuk është miratuar nga policia që të kontaktohet prej të pretenduarit të dëmtuar.

Kronologjia Dida

Më 16 Dhjetor 2003

Ministri i Rendit Publik, Igli Toska, në atë kohë në detyrën e Zëvendësministrit të Rendit Publik, firmosi urdhrin për përjashtimin nga radhët e policisë të Drejtorit të Policisë së Beratit, komisar Ilirjan Didës. Motivacioni i firmosjes së këtij urdhëri ishte: "Kryerje të veprimeve që cënojnë në mënyrë të pariparueshme ligjin dhe detyrën dhe e vendosin punonjësin nën akuzën e kryerjes së një krimi të rëndë ndaj policisë dhe publikut".

Shkurt 2004

Ilirian Dida, vendosi të hyjë në grevë urie për të kundërshtuar këtë urdhër, duke e cilësuar një veprim arbitrar largimin e tij nga radhët e policisë. Por, përkeqësimi i gjendjes shëndetësore e detyroi atë të shtrohet në spital, duke ndërprerë kështu grevën dy javore.

17 maj 2004

Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Gjirokastrës, fillon procesi gjyqësor në ngarkim të ish-zyrtarit të lartë të policisë shqiptare, nënkolonel Ilirian Dida. Procesi gjyqësor nisi me praninë në bankën e akuzës vetëm të ish–shoferit, Asllan Rama, ndërsa ish-komisari i policisë, Dida, nuk është paraqitur në proces.

21 shtator 2004

Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Gjirokastrës u zhvillua një ballafaqim midis ish-prokurorit të rrethit, Arben Pasho dhe të akuzuarit për mitmarrje, Ilirian Dida. Palët kanë mbrojtur versionet përkatëse në lidhje me shumën 5 milionë dhrahmi.

30 shtator 2004

Prokuroria e Gjirokastrës kërkoi dënimin me 5 vjet burg për ish-drejtorin e Policisë, Ilirian Dida dhe 4 vjet për ish-shoferin e tij, Asllan Rama. Në këtë seancë, prokurori Alfred Agolli riformuloi për Didën akuzën e “mitmarrjes së kryer në bashkëpunim” dhe për këtë kërkoi dënimin e tij me 5 vjet burg.

24 maj 2004

Gjykata e Tiranës rrëzoi padinë e ngritur nga ish-drejtori i Policisë së Beratit, Ilirian Dida, ndaj Ministrisë së Rendit, për shfuqizimin e vendimit të përjashtimit të tij nga policia. Vendimi u dha nga gjyqtarja e çështjes, Alkelina Gazidede.

Ish-drejtori i Policisë së Beratit, Ilirian Dida, përfaqësohej nga avokati i tij, Maks Qoku, ndërsa Ministria e Rendit Publik nga përfaqësuesja juridike, Elona Meçe.

Akuzat sipas Ministrisë së Rendit Publik dhe Prokurorisë

2.Komisar Ilirian Dida (Roli i lartë), ish-drejtor Drejtorie Referuar 4 kallëzime ne Prokurorinë e Përgjithshme:

Për veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës nr.533 datë 16.02.2004 ndiqet nga prokuroria e Shkodrës

Për shpërdorim detyre nëpërmjet shkeljes së pabarazisë në tendera nr.591 datë 18.02.2004 në Berat

Për falsifikim vulave e stampave (mjet motorrik) si dhe shpërdorim detyre nr.590 datë 18.02.2004 në Berat.

Për shpërdorim detyre nr.567 datë 18.02.2004 (dietat e punonjëesve i ka përdorur gjoja për riparim të mjeteve) në Berat.

Prokuroria e Apelit të Shkodrës, i ka komunikuar Didës akuzën, sipas të cilës, gjatë kohës që ka qenë drejtor policie në Kukës, ai ka mundur të fshehë gjurmët për ngjarjen, e cila ka të bëjë me vrasjen e shtetasit Shaban Voka më 22 shtator të 2001-shit në fshatin Shënmëri.

Një tjetër ngjarje, që, sipas akuzës, e implikon ish-drejtorin si person që ka lidhje me eksponentë të krimit, ka të bëjë me vrasjen e Gjergj Gushalit në Lushnjë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›