Pranga punonjësit të rremë të bashkisë
25/02/2005 Një punonjës i rremë i bashkisë së Rrëshenit është vënë në pranga mbërmjen e së mërkurës nga efektivat e antikrimit ekonomiko-financiar. Burime nga zyra e SAEF-it, shprehen se Eduart Marku u kap në flagrancë. Shkak për prangosjen e tij është falsifikimi që ka bërë ai në një dokument punësimi. "22-vjeçari kishte aplikuar për të marrë një vizë gjermane. Për t'u bërë sa më i besueshëm tek autoritetet në ambasadën e huaj, paraqiti një vërtetim fals, sikur punonte në bashkinë e Rrëshenit. Por, Marku harroi se të gjithë vërtetimet verifikohen më parë nga punonjësit e legatës gjermane", saktësojnë burimet. Me të konfirmuar faktin se aplikanti për vizë mashtronte për të marrë vizë, pala gjermane denoncoi në Drejtorinë e Policisë së Tiranës rastin e mësipërm, duke insistuar të merreshin masa. I riu nga Kurbneshi nuk ka qenë dënuar ndonjëherë më parë nga togat e zeza. Ai akuzohet se ka konsumuar veprën e parashikuar nga neni 189/1 i Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme. Fa.Br