E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet Paro Laci, kërcënoi lojtarin S.Ishka

TIRANE- Arrestohet aksioneri i Partizanit Paro Laçi. Seksioni i krimit kundër jetës dhe shëndetit në Komisariatin 2 të Tiranës, i ka vënë prangat njeriut që për 4 muaj mbajti detyrën e administratorit të klubit të kuq. Arrestimi ka ardhur pas denoncimit të kryer nga futbollisti Sokol Ishka, i cili e ka akuzuar Laçin për kërcënim të jetës. Gjithçka ka ndodhur dy ditët e fundit, kur Paro Laçi, pasi i ka kontrolluar telefonin, e ka akuzuar futbollistin Ishka se ka tentuar të shesë ndeshjen me Elbasanin, e cila u luajt ditën e martë në stadiumin Selman Stërmasi dhe u fitua 1-0 nga skuadra e Partizanit. Mohimit të futbollistit se nuk ka patur qëllim trukimi të ndeshjes, Laçi i është përgjigjur me kërcënime të vazhdueshme, ndërsa mes tyre mësohet se ka pasur edhe konfrontime fizike, gjë që ka çuar në prerjen e fletës së arrestit për aksionerin e klubit Partizani.
Përparim Laçi erdhi si aksioner i Partizanit në muajin janar të këtij viti dhe deri më 13 prill, pra dy ditë më parë, mbajti detyrën e administratorit të klubit. Përplasjet e vazhdueshme me presidentin Albert Xhani, bënë që ky i fundit ta shkarkonte nga pozicioni i administratorit, duke u zgjedhur vetë në këtë post.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›