E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet Taulant Toma, u arratis nga burgu një muaj më parë

ITALI - Arrestohet Taulant Toma, miku i Ilir Pajës. Policia italiane bënë të ditur se ka arritur të kapë shqiptarin e arratisur nga burgu i Ternit më 9 nëntor të këtij viti. 25-vjecari Taulant Toma u prangos bashkë me tre shqiptarë të tjerë nën akuzën e grabitjes së vilave në shtetin fqinj. Sipas policisë italiane, 4 shqiptarët kanë grabitur shtatë vila në harkun kohor të një viti në Veri të Italisë. Arrestimi i tyre është kryer si rezultat i dy operacioneve të ndryshme të policisë. Aksioni i parë kishte si objektiv kapjen e 25-vjeçarit Toma, i cili mundi të arratisej nga burgu i Ternit duke përdorur një çarçaf, ndërsa bashkë me të ka rënë në pranga edhe bashkëpunëtori i tij, Ergys Cuni, 23 vjeç. Policia bën të ditur se në momentin e arrestimit të tyre në provincën Casarile të Milanos, Tomës iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë me silenciator, 24 gramë kokainë dhe shumë objekte të vjedhura në vila, si: televizorë, bizhuteri, karta krediti dhe 4 çelësa makinash të vjedhura. Operacioni i dytë i Policisë italiane çoi në arrestimin e Mirel Markut, 24 vjeç, i ndaluar dhjetorin e kaluar teksa po kryente një vjedhje në bankën e Milanos. Personi tjetër i arrestuar është Valentin Lazri, 27 vjeç, i gjetur në një hotel në Milano. Në dhomën e hotelit ku strehoheshin dy të arrestuarit janë gjetur 600 gramë kokainë dhe 20 doza të paketuara, gati për përdorim. Në njërën prej makinave të vjedhura nga personat e lartpërmendur policia ka gjetur edhe shumë sende me vlerë. Arratisja e Tomës, një muaj më parë, vuri në alarm gjithë Policinë italiane, e cila u vu në kërkim të menjëhershëm të tij, por pa rezultat. Toma ishte i njohur si njëri prej pjesëtarëve të bandës të Ilir Pajës, i njohur ndryshe nga Policia italine si “UFO”, për shkak se ka arritur të arratiset dy herë nga burgjet italiane.

24 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›