Banorët e Roskovecit: Gjeni vrasësit e deputetit, ose grevë urie
Protestë para Prokurorisë për vrasjen e Fatmir Xhindit. Vëllai i ish-deputetit, Ilir Xhindi: “Pas vrasjes fshihet diçka”
Thimi Samarxhiu
TIRANË - “Prej 7 muajsh jemi në pritje të zbardhjes së vrasjes së deputetit tonë, por deri tani askush nuk është vënë përpara Drejtësisë. Në rast se vazhdohet kështu, ne do të futemi edhe në grevë urie”. Këto kanë qenë fjalët e përfaqësuesve të banorëve të qytezës së Roskovecit, të cilët kanë depozituar ditën e djeshme në Prokurorinë e Përgjithshme një peticion me firmat e 1500 banorëve të kësaj zone, ku kërkojnë nga strukturat shtetërore zbardhjen e autorëve dhe motivit të vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. Mystehak Haxhia, njëri nga përfaqësuesit e banorëve të Roskovecit, u shpreh se ky peticion do t’i dorëzohej edhe Presidentit të Republikës, kryeministrit dhe Ambasadës Amerikane. “Ne kemi pritur gjithë këtë kohë nga ana e shtetit dhe patëm besim tek ta. Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Bujar Nishani, u shpreh se ishte vetëm çështje kohe zbardhja e ngjarjes dhe se strukturat e shtetit kishin arritur të zbulonin autorin dhe motivet. Por asgjë nuk ndodhi”, - deklaroi ai.
Misteri
Ilir Xhindi, vëllai i deputetit të vrarë më 2 maj të këtij viti, shprehet se kërkon zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarjeje, e cila është shumë e rëndë për ta. “Kërkojmë nga institucionet shtetërore gjetjen e autorëve që vranë vëllanë tim. Unë dyshoj se pas vrasjes fshihet diçka, përderisa ende nuk është zbardhur kjo ngjarje”, - u shpreh ai. Ilir Xhindi, ndër të tjera deklaroi se nuk janë mbështetur nga asnjë forcë politike, qoftë kjo e majtë apo e djathtë. “Ne presim zgjidhje nga ana e shtetit, por nëse sërish nuk marrim asnjë përgjigje, atëherë do t’i drejtohemi Gjykatës së Strasburgut”, - mbylli deklarimin e tij vëllai i deputetit.
Vrasja
Kanë kaluar më shumë se 7 muaj dhe ende nuk është zbardhur ngjarja e 2 majit, ku në derën e shtëpisë mbeti i vrarë deputeti i Partisë Socialistë, Fatmir Xhindi. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, organi i akuzës nxori një sërë pistash lidhur me shkaqet e kësaj vrasjeje, por asnjëra prej tyre nuk është arritur të vërtetohet. Fillimisht u përfol se vrasja kishte ndodhur për shkak të pozicionit të tij si deputet, por kjo ra poshtë; më pas u përfol lidhur me probleme pronash dhe për këtë gjë, organi i akuzës hetoi të gjitha dosjet në Hipotekën e Fierit, por pa rezultat. Një tjetër pistë ishte dhe ajo e motiveve personale, për të cilën ende nuk ka asnjë të dhënë të saktë.
Fatmir Xhindi është qëlluar me një breshëri kallashnikovi mbrëmjen e 2 majit të këtij viti, kur ishte duke hyrë në banesën e tij në qytezën e Roskovecit. Sipas versionit zyrtar të grupit hetimor mësohet se autori/autorët kanë përfituar nga errësira dhe janë larguar pa lënë asnjë gjurmë. Krimi ndodhi vetëm disa javë para zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. PS-ja nuk e përdori politikisht këtë krim gjatë fushatës, por u bëri apel institucioneve të Drejtësisë që të vënë në pranga autorët. Pas përfundimit të procesit të 28 qershorit, familja, por edhe drejtuesit e lartë socialistë, kanë kërkuar vazhdimisht që të gjenden dhe prangosen autorët e atentatit ndaj deputetit socialist, Fatmir Xhindi.
Peticioni i banorëve të Roskovecit: Shteti nuk bëri asgjë
Sot ne përkujtuam me dhimbje ditën kur gjashtë muaj më parë, një dorë kriminale vrau në pragun e shtëpisë deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, të ndjerin Fatmir Xhindi.
Deri sot, nga ana e institucioneve të shtetit ende nuk janë zbardhur dhe zbuluar jo vetëm autori apo autorët e kësaj vrasjeje sa tragjike aq dhe të mistershme, por as motivet e saj.
Gjatë gjithë këtyre muajve, përveç disa deklaratave publike nga ana e institucionit të shtetit, nuk është bërë asgjë tjetër. Ky njeri nuk mund të prehet i qetë derisa Drejtësia të vendoset në vend. As ne të gjithë nuk ndihemi të qetë dhe të sigurt kur shohim me keqardhje se institucionet tona nuk kanë forcën, vullnetin, vendosmërinë për të zbardhur këtë ngjarje. Ky realitet është i papranueshëm nga ne, shtetasit e një vendi që duam të besojmë se puna dhe jeta jonë jo vetëm mbrohet por edhe nderohet.
Ne nuk mund të jetojmë me frikën se gjithçka mund të ndodhë e askush s’përgjigjet. Ne solidarizohemi plotësisht me dhimbjen dhe shqetësimin e familjes Xhindi për moszbulimin dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që i morën nga jeta njeriun e tyre më të dashur.
Të gjithë ne, sot, nga ky shesh, kërkojmë nga ju zonja prokurore që t’i kushtoni gjithë aftësinë, guximin dhe forcën që ju jep ligji, zbardhjes së kësaj ngjarjeje.
Të gjithë ne, sot, nga ky shesh, kërkojmë nga ju zoti President i Republikës që të ushtroni gjithë autoritetin tuaj kushtetues, ligjor dhe institucional, sidomos ndaj organeve të Drejtësisë për zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje.
Të gjithë ne, sot, nga ky shesh, kërkojmë nga ju zoti Kryeministër që të ushtroni gjithë autoritetin tuaj kushtetues, ligjor dhe institucional, sidomos mbi organet e Policisë së Shtetit, për zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje.
Policia mban refrenin: Jemi pranë zbulimit të autorëve
Sa herë ka ndodhur që familjarët e deputetit Fatmir Xhindi kanë kërkuar nga shteti zbardhjen e vrasjes së të afërmit të tyre, përfaqësues të lartë të shtetit kanë dalë me deklarata vetëm disa ditë më pas, se Policia dhe grupi hetimor janë shumë afër zbardhjes së kësaj ngjarjeje.
Rasti më i fundit ishte ai i përpara zgjedhjeve, ku familjarët e deputetit kërkuan me forcë nga ana e institucioneve shtetërore dërgimin përpara Drejtësisë të personave përgjegjës. Nuk vonoi shumë dhe ministri i Brendshëm i asaj kohe, Bujar Nishani, në një emision televiziv deklaroi se Ministria e Brendshme dhe strukturat që varen prej saj janë shumë afër zbardhjes së kësaj vrasjeje që tronditi gjithë opinionin publik.
Pas kësaj deklarate, familjarët e Xhindit pritën me shpresën se këtë herë fjalët e ministrit ishin të vërteta dhe jo “gënjeshtra e radhës”.
Edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, ka lëshuar po të njëjtën deklaratë lidhur me zbardhjen e kësaj ngjarjeje, pas një reagimi të mëparshëm të familjarëve. Tashmë, pas hapit të marrë ditën e djeshme nga ana e banorëve të Roskovecit, pritet që edhe këtë herë, zyrtarë të lartë të dalin me deklaratat se vrasja e deputetit Fatmir Xhindi është shumë afër zbardhjes dhe se përgjegjësi do të përballet me Drejtësinë. Por duket se këtë herë banorët e kësaj zone dhe familjarët e të ndjerit Xhindi kanë qenë më këmbëngulës me deklaratat e tyre, pasi ata u shprehën se në rast moszgjidhjeje, do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut, madje do të futen edhe në grevë urie. Deri në deklaratën e radhës së institucioneve shtetërore dhe deri në zbardhjen e ngjarjes, familjarët e Fatmir Xhindit do të jenë me shpresën se këtë herë s’do të ketë më deklarata bombastike thjesht për të hequr vëmendjen nga ngjarja e 2 majit dhe zbardhjen e plotë të saj.
24 Dhjetor 2009