Hakersat godasin faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave
TIRANË – Killerat e botës virtuale godasin faqen zyrtare të internetit të qeverisë shqiptare. Gjatë mbrëmjes së djeshme faqja e Këshillit të Ministrave (www.gov.al) nuk ka funksionuar për rreth një orë për shkak se ishte sulmuar nga hakersat. Rreth orës 20:00 ajo nuk ishte në gjendje që të ofronte shërbimet e informacionit për axhendën e kryeministrit të qeverisë. Në mesazhin që shfaqej në faqen e parë shkruhej një pyetje që i drejtohej Këshillit të Ministrave të Shqipërisë. “Pse nuk e bëni Shqipnin, Shqipëria e Madhe? Kështu e hanë Këshilli i Ministrave kur nuk i respekton ligjet e hakerave të internetit”. Kjo ishte përmbajtja e mesazhit që i është drejtuar dje qeverisë shqiptare nga piratët e internetit. Ky mesazh përkoi me vizitën në Tiranë të delegacionit të komunitetit serb në Kosovë. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që kreu i qeverisë shqiptare dha me disa nga anëtarët e delegacionit të partive politike serbe në Kosovë, Berisha u shpreh se e ka ftuar presidentin serb Boris Tadiç për një vizitë në Shqipëri pasi tani marrëdhëniet mes dy vendeve kanë hyrë në një kapitull të ri. Gjithashtu Berisha tha se presidenti serb Tadiç e ka mirëpritur ftesën për të vizituar Shqipërinë. Kjo nuk është hera e parë që faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave apo ministrive dhe institucioneve të tjera të shtetit shqiptar sulmohet nga piratët e internetit. Rreth orës 21:10 faqja e internetit të Kryeministrisë e riparoi defektin dhe filloi funksionimin e saj normal.
24 Dhjetor 2009