E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: “Reformat në Drejtësi nuk bëhen me veprime revolucionare”

Albert Gjoka

TIRANË - Reformat nuk bëhen me veprime revolucionare; atë që e mendoj sot ta realizoj e ta bëj javën që vjen. Absolutisht jo! Ky është konstatimi i kreut të shtetit, njëherësh edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në kohën që ka një bllokim të proceseve në institucionet e Drejtësisë dhe një nxitim të theksuar nga qeveria për kalimin e disa paketave ligjore në Kuvend. Në fjalimin e tij drejtuar në konferencën për “10-vjetorin e krijimit të Shkollës së Magjistraturës”, zoti Topi ftoi dje zyrtarisht partitë politike që të zhbllokojnë situatën e krijuar, pasi një pjesë e projektligjeve kërkojnë pjesëmarrjen e deputetëve të opozitës në Kuvend. Në anën tjetër, presidenti u bëri ftesë gjyqtarëve dhe prokurorëve që të marrin pjesë në një debat publik për gjendjen në të cilën ndodhet Drejtësia.

Deklarata
Në kushtet kur është bllokuar Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kur ende nuk dihet fati i Konferencës Gjyqësore dhe kur priten freskimet e mandateve në Gjykatën Kushtetuese, presidenti Topi ka ndërhyrë edhe një herë në situatën e mjegullt në të cilën ndodhen institucionet e Drejtësisë. Ndonëse në mënyrë të kujdesshme, kreu i shtetit, në cilësinë e kryetarit të KLD-së, përcolli disa mesazhe të qarta për partitë politike, maxhorancën, por edhe komunitetin e atyre që me punën e tyre japin drejtësi. Ngërçi i krijuar te institucionet e Drejtësisë është përkeqësuar në mënyrë graduale pas një sërë nismash ligjore që ka marrë qeveria në reformat në Drejtësi. Përpjekjet për ndryshimin e kuadrit ligjor nga ana e maxhorancës në Prokurorinë e Përgjithshme, kompetencat e shtuara të Ministrisë së Drejtësisë mbi organin e akuzës apo gjykatat, bllokimi i projektligjit për Konferencën Gjyqësore dhe pamundësia për të rifreskuar me katër anëtarë të rinj KLD-në janë shenja të qarta. Të gjitha këto iniciativa kanë hasur në kundërshtimet jo vetëm të opozitës, por edhe të vetë grupeve të interesit. Presidenti Topi dje përcolli një mesazh të qartë: Reforma në Drejtësi nuk bëhet me veprime revolucionare; që të arrish atë që do brenda një jave. “Absolutisht jo”, - tha prerë kreu i KLD-së. Në një moment kritik për reformën gjyqësore, kur ka vakuum ligjor, presidenti u bëri thirrje partive që të marrin pjesë në vazhdimin e reformave. “E kam thënë dhe e shpreh dhe njëherë se është absolutisht në të drejtën e tyre, por edhe në përgjegjësinë e tyre, që të vazhdojnë reformën në legjislacion, sidomos në fushën e Drejtësisë”, - tha kreu i shtetit. Sipas tij, “nuk duhet që, në asnjë rast, të krijohet mjegull përsa u përket keqinterpretimeve apo deformimeve, ndonjëherë me karakter politik, që influencojnë ndjeshëm sistemin e Drejtësisë”. “Duhet që të gjithë së bashku, duke filluar nga unë i pari, të ngremë zërin”, - tha zoti Topi.

Debati
Perceptimi i publikut, por edhe raportet e ndërkombëtarëve, flasin për një imazh në nivele ende të ulëta të Drejtësisë shqiptare. “Sistemi i Drejtësisë ka probleme dhe situata të cilat e cenojnë imazhin dhe autoritetin e tij”, - tha Topi. Duke e konsideruar “pavarësinë e gjyqtarëve si thelbësore për konsolidimin e shoqërisë shqiptare”, kreu i shtetit u bëri thirrje të gjithë personave të përfshirë në sistemin e Drejtësisë që të vihen në kushtet e një solidariteti dhe “për të qenë pjesëmarrës në një debat profesional, por edhe publik mbi Drejtësinë, i cili të mos jetë në mjedise të mbyllura”. Zoti Topi, në cilësinë e kryetarit të KLD-së, drejton një institucion, i cili nuk po arrin që të kryejë detyrat kushtetuese dhe ligjore për vazhdimin e reformave për shkak të ngërçit ku janë futur një sërë strukturash të shtetit ligjor, të cilat kërkojnë një votim të cilësuar, me pjesëmarrjen e opozitës në Kuvend, në mënyrë që të kapërcehet situata. Por, në radhët e maxhorancës ka pasur përpjekje për të anashkaluar disa procedura, sidomos në lidhje me funksionimin e Konferencës Gjyqësore, e cila nxjerr disa përfaqësues në KLD, por nisma të tilla hasën kundërshtimin e shpejtë të vetë gjyqtarëve. Tashmë zgjidhja më e mirë po konsiderohet ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese për interpretimin dhe gjetjen e shtigjeve që çojnë në zhbllokimin e institucioneve të Drejtësisë në vend.

24 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›