Gjahtarët bëhen me ligj, lamtumirë gjuetisë pa kriter
Ligji ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe të kërkesave për zhvillimin e gjuetisë
Ervin KOÇI
Gjuetia në vendin tonë nuk do të jetë më një sport amator por tashmë do të kthehet në një profesion të vërtetë. Qeveria ka vendosur që ta disiplinojë këtë pasion të vjetër të shqiptarëve me anë të një ligji të posaçëm, duke i vënë fre gjuetisë pa kriter. Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe të kërkesave për zhvillimin e gjuetisë, si një veprimtari tradicionale, sportive, shlodhëse dhe turistike. Duke e vlerësuar faunën e egër si një pasuri natyrore me interes të përgjithshëm, që gëzon mbrojtje të veçantë, ligji ka për qëllim që të bëjë një menaxhim të qëndrueshëm të gjuetisë. Me anë të këtij ligji synohet mosdëmtimi i llojeve të faunës së egër e të habitateve të tyre, gjatë ushtrimit të gjuetisë. Po kështu ligji synon të stabilizojë edhe respektimin e të drejtës së gjuetisë dhe të atyre mbi gjahun, mbi trofetë e produktet e gjuetisë dhe të tregtimit të tyre.
Llojet e kafshëve që mund të gjuhen
Gjuetia ushtrohet vetëm mbi individë të llojeve të faunës së egër, që janë shpallur objekt gjuetie, me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit. Pas miratimit, nga Këshilli i Ministrave, të listës së llojeve të faunës së egër, që mund të gjuhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, ministria e publikon atë së bashku me materiale të ndryshme, ilustruese e grafike, në faqen e saj zyrtare, në internet. Janë objekt i gjuetisë individë të llojeve të faunës së egër, lokalë ose migratorë, që jetojnë në gjendje të lirë në kushte natyrore apo që janë riprodhuar për t’u gjuajtur në territore të rrethuara, në gjendje gjysmë të lirë a në robëri. Në varësi të zhvillimeve biologjike të llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, të situatës epizotike dhe të katastrofave natyrore, si dhe të dëmtimeve të shkaktuara prej tyre, përcakton kushtet për zhvillimin e veprimtarisë së gjuetisë. Nga institucionet shtetërore rregullon kuotat e llojeve, objekt gjuetie, si dhe limitohet ose ndalohet gjuetia për disa lloje, në të gjithë territorin a në pjesë të tij.
Llojet e ndaluara për gjueti
Nuk janë objekt i ushtrimit të gjuetisë dhe nuk lejohen të gjuhen individët: a) e llojeve të faunës së egër, që nuk bëjnë pjesë në listën e llojeve të lejuara për gjueti. b) e llojeve të faunës së egër, të mbrojtura nga konventat ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë; c) e llojeve të faunës së egër, që janë të rralla, të kërcënuara, në rrezik zhdukjeje dhe që bëjnë pjesë në listën e llojeve të mbrojtura; ç) e të gjitha llojeve të shpendëve të egër migratorë, të cilët pas vlerësimit të popullatave të tyre, rezultojnë shumë të rrallë. Vlerësimi i llojeve migratore është pjesë e iventarizimit. Për të mbrojtur llojet e shpendëve të egër migratorë nga gjuetia, në përputhje me dispozitat e ligjit “Për mbrojtjen e faunës së egër”, krijohen zona me rëndësi të veçantë për shpendët, ku gjuetia është e ndaluar.
Gjuetia reduktuese
Reduktimi nënkupton gjuajtjen e llojit të faunës së egër, kur evidencat e institucioneve kërkimore-shkencore vërtetojnë se popullata e tij është shtuar shumë dhe nuk është në përputhje me ekuilibrin biologjik të zonës, ku jeton, ose kur ato i shkaktojnë dëme pronës, për shkak të numrit të madh të tyre. Nevojën e reduktimit e parashtron me shkrim në DSHP menaxhuesi i zonës së gjuetisë, i cili dorëzon edhe evidencën e nevojave të reduktimit. Ministri, në bazë të kërkesës së DSHP-së, mund ta lejojë menaxhuesin të organizojë dhe të kryejë reduktimin në zonën e tij të gjuetisë, kur kërkesa për reduktim të popullatës së llojit është në përputhje me planin menaxhues 10-vjeçar dhe planin vjetor për përdorimin e llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, të zonës. Gjuetia reduktuese kryhet me gjuetarë të pajisur me leje, vetëm gjatë sezonit dhe me metodat e lejuara të gjuetisë.
Zonat e lejuara për gjueti
Gjuetia do të zhvillohet vetëm në zonat e lejuara për ushtrimin e gjuetisë. Zonat e gjuetisë përfshijnë tokat, pyjet, kullotat dhe zonat ujore të populluara me lloje të faunës së egër, objekt gjuetie, si më poshtë vijon: a) fondin pyjor dhe kullosor; b) tokat bujqësore; c) sipërfaqet ujore të brendshme, (lagunat që lidhen me detin, kënetat, liqenet natyrore e artificiale, lumenjtë e përrenjtë); ç) shkëmbinjtë, rrëpirat, humnerat e ranishtet. Sipërfaqet e përmendura më sipër, përdoren për gjueti vetëm kur janë të përfshira në territoret e një zone konkrete, të lejuar për gjueti. Zonat e gjuetisë të krijuara në pronë shtetërore formohen në bazë qarku. Një qark mund të ketë më shumë se një zonë gjuetie. Zonat komunale të gjuetisë krijohen me sipërfaqet, pyjore e kullosore, që ka në pronësi një komunë ose duke bashkuar territore të pyjeve e kullotave komunale të dy a më shumë komunave, që janë në vazhdim e që formojnë sipërfaqe të pashkëputura. Pronarët privatë të pyjeve dhe kullotave mund të kërkojnë të krijojnë në tokat e tyre zonë të gjuetisë, kur zona e propozuar plotëson kushtet e përcaktuara në këtë ligj.
Vendet e ndaluara për gjueti
Ushtrimi i gjuetisë ndalohet në: a) të gjitha sipërfaqet, që nuk përfshihen në një nga zonat e gjuetisë; b) zonat e mbrojtura. Kontratat për mbarështrimin e faunës së egër dhe gjuetinë në sipërfaqe të zonave të mbrojtura, të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, zbatohen deri në përfundim të afatit të tyre; c) kullotat dhe livadhet në fazën e korrjes; ç) fushat e kultivuara për prodhimin e varieteteve të farave; d) vreshtat e mbjella rishtazi; dh) vreshtat nga krasitja deri në vjeljen e prodhimit; e) sipërfaqet e mbjella me drithëra, nga 1 prilli deri në përfundimin e korrjes së tyre; ë) sipërfaqet bregdetare, që shërbejnë si habitate për shpendët migratorë në një gjerësi 2 km nga bregu i detit; f) sipërfaqet, ku zhvillohet akuakultura; g) parcelat eksperimentale; gj) hapësirat detare; h) zonat e shpallura si zona me rëndësi të veçantë për shpendët; i) zonat urbane dhe industriale; j) aeroportet, heliodromet, rrugët dhe hekurudhat; k) territoret e reparteve, të bazave e të instalimeve ushtarake; l) tokat, brenda 300 metrave nga vendbanimet, rrugët kryesore publike, ndërtesat fetare, shkollat, dyqanet e zyrat; ll) varrezat dhe oborret e mbyllura;
m) fidanishtet, pemishtet, vreshtat dhe kopshtet e destinuara për prodhim intensiv, në sipërfaqe deri në 100 ha, nëse janë të rrethuara, që pengon migrimin natyror të kafshëve të egra; n) territore, ku vërtetohet prania e sëmundjeve me patogjenitet të lartë.
Menaxhimi i veprimtarisë së gjuetisë
Menaxhimi i veprimtarisë së gjuetisë përmbledh veprimtaritë, që kryhen nga strukturat e ministrisë, nga njësitë tekniko-organizative të qeverisjeve vendore për pyjet dhe kullotat komunale dhe nga menaxhuesit e zonave të gjuetisë, për të siguruar që: a) gjuetia në zonat e gjuetisë të zhvillohet sipas kërkesave të parimit të përdorimit të saj të qëndrueshëm; b) gjuetia të mos cenoje ruajtjen e larmisë llojore, shtimin e popullatave të llojeve, objekt gjuetie, si dhe mbrojtjen dhe përmirësimin e habitateve të tyre; c) turet konkrete të gjuetisë të realizohen në përputhje me planet vjetore për përdorimin e llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, të çdo zone.
Sezoni i gjuetisë
Gjuetia ushtrohet vetëm brenda sezonit të hapur për gjueti, i cili përcaktohet sipas kritereve gjeografike, klimatike e biologjike dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit. Për çdo vit, ministria publikon hapjen e sezonit të gjuetisë në faqen e saj të internetit. Kohëzgjatja e gjuetisë sipas llojeve, si dhe ditët e lejuara për gjueti, brenda sezonit të gjuetisë, caktohen me urdhër të veçantë të ministrit. Dita e gjuetisë fillon pas lindjes së diellit dhe përfundon me perëndimin e tij.
Kush quhet gjuetar
Gjuetar mund të jetë personi fizik, që: a) ka mbushur moshën 22 vjeç; b) ka leje të mbajë armë; c) ka fituar testin për çështjet, teorike dhe praktike, që lidhen me veprimtarinë e gjuetisë; ç) është pajisur me leje gjuetie; d) njeh dhe respekton manualin e gjuetarit; dh) merr pjesë në monitorimin dhe inventarizimin e faunës së egër të zonës së tij.
Kërkesa për t’u pajisur me leje gjuetie
Personat, që kalojnë me sukses testimin, bëjnë kërkesë me shkrim për t’u pajisur me leje gjuetie nga DSHP-ja e zonës, ku ka vendbanimin kërkuesi. Kërkesa përmban gjenialitetet e kërkuesit, zonën ku do të ushtrojë gjuetinë dhe kohëzgjatjen e ushtrimit të saj. Kërkesa shoqërohet me fotokopjen e: a) certifikatës së testimit; b) lejes për mbajtjen e armës së gjuetisë; c) kartës së identitetit. DSHP-ja shqyrton kërkesën me dokumentet dhe përgjigjet brenda 5 ditëve pune nga marrja e tyre në dorëzim. Ndaj refuzimit të DSHP-së, kërkuesi mund të ankohet te ministri, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së vendimit. Ndaj vendimit të ministrit ose mospërgjigjes së tij, pas kalimit të afatit 10-ditor, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë, brenda 30 ditëve.
24 Dhjetor 2009