E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjaten oraret për pajisjen me pasaportat biometrike

TIRANË – Ardhja e emigrantëve për fundvit ka nxitur komisariatet e policive dhe kompaninë koncesionare të prodhimit të pasaportave që të zgjasin oraret e shërbimeve. Ministria e Brendshme njoftoi dje zgjatjen e kohës së shërbimit për lëshimin e pasaportave biometrike. Sipas burimeve zyrtare, një gjë e tillë është bërë në bashkëpunim me kompaninë “Alert” dhe qytetarët do të kenë më shumë kohë në dispozicion për të bërë aplikime dhe për të tërhequr dokumentet e reja të identitetit. Me futjen në përdorim të dokumenteve biometrike, thuajse të gjithë shtetasit, kryesisht emigrantët, janë të interesuar që t’i marrin, pasi kanë lehtësi në qarkullim në vendet e Bashkimit Europian.
Oraret
Ministria e Brendshme bëri të ditur dje se duke filluar nga data 23 dhjetor zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike do të shërbejnë për qytetarët nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 18:00 të mbrëmjes. Këto zyra do të jenë të hapura në të gjitha bashkitë dhe komunat e mëdha të vendit. Ato do t’u shërbejnë qytetarëve me të njëjtin orar edhe ditën e shtunë dhe të diel. Shërbimi për qytetarët do të ofrohet edhe në datën 31 dhjetor nga ora 08:00 deri në orën 15:00. Ky shtim i orarit të punës të zyrave të aplikimit për pasaporta biometrike synon t’u vijë në ndihmë në mënyrë të veçantë qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit dhe ndodhen në Shqipëri për festat e fundvitit. Në të njëjtat orare do të punojnë edhe zyrat e shpërndarjes së pasaportave biometrike pranë drejtorive dhe komisariateve të policisë. Marrëveshja për këtë shtim orari u arrit pas negociatave të Ministrisë së Brendshme me kompaninë koncesionare “Aleat”. Nga ana e saj, Ministria e Brendshme kërkon angazhimin maksimal në shërbimin ndaj qytetarëve të të gjithë punonjësve të zyrave të gjendjes civile dhe zyrave të kompanisë “Aleat”.

Përfitimet
Ministria e Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të gjithë kohën e shërbimit të zyrave përkatëse për të aplikuar dhe për t’u pajisur me pasaporta biometrike. “Pajisja me pasaportën biometrike u jep në dorë një dokument të standardeve europiane dhe në të njëjtën kohë është kontributi i secilit qytetar shqiptar për të arritur liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian”, - thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme. Ky vendim i Ministrisë së Brendshme erdhi menjëherë pas shtimit të fluksit të emigrantëve në pikat kufitare të vendit dhe duke pasur parasysh faktin se këta persona kërkojnë pajisjen në një kohë sa më të shpejtë me këtë dokument. Ministria e Brendshme, me anë të këtij vendimi, kërkon të mos përsërisë situatën e shkaktuar këtë verë në zyrat e gjendjes civile, ku një numër i madh emigrantësh qëndronin në radhë me orë të tëra për të aplikuar për karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Që prej janarit të këtij viti, autoritetet shqiptare lëshojnë dy dokumente biometrike të cilësisë së lartë: kartën e identitetit dhe pasaportën e re. Rritja e numrit të përdoruesve të këtyre dokumente shërben pozitivisht edhe në standardet e vëna nga Brukseli për heqjen e vizave të shqiptarëve në zonën “Shengen”.

24 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›