E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet "ambasadori", i sekuestrohen 70 vula

Një sekser ambasadash është vënë në pranga nga antikrimi ekonomik, pasi dyshohet për falsifikim dokumentesh, ndërkohë që në banesën e tij është zbuluar një laborator falsifikimesh. Bashkim Sejdini është arrestuar dje në Tiranë, pas një operacioni të organizuar nga antikrimi ekonomik në zonën e Oxhakut. Burimet policore thanë se prej disa javësh kishin marrë informacion se personi i arrestuar merrej me falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe vizave për jashtë Shqipërisë. Kështu, tre javë më parë ka nisur hetimi për dokumentimin e kësaj vepre penale, ndërkohë që goditja është bërë ditën e djeshme gjatë një ndërhyje në banesën e tij, që ishte kthyer në një laborator falsifikimesh. Policia tha se nga grupi i punës janë sekuestruar 70 vula të ndryshme, ku pjesa dërrmuese u përkasin ambasadave të huaja. Policia tha se operacioni u zhvillua mëngjesin e djeshëm, pas urdhrit të lëshuar nga prokurori i çështjes. Sipas të dhënave hetimore, ky person dyshohet se prej kohësh merrej me falsifikimin e dokumenteve të ndryshme, ndërkohë që kohët e fundit kishte filluar të nxirrte edhe viza false.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›