E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhte bakër, vdes në kabinën elektrike

Një 28-vjeçar ka gjetur vdekjen nga rryma elektrike, pasi kishte hyrë për të vjedhur pjesë metalike në një kabinë. Prej dy ditësh 28-vjeçari nga fshati Qatrom, Jonis Dervishi, nuk gjendej nga të afërmit dhe familjarët kanë njoftuar policinë lokale. Prindërit e viktimës janë vënë në alarm, pasi kanë gjetur makinën e djalit të hapur dhe të lënë në rrugë. Sipas policisë, që ka shkuar në vendin e ngjarjes, makina në pronësi të 28-vjeçarit është gjetur në afërsi të kilometrit të dytë të aksit nacional Korçë-Ersekë. Policia ka gjetur në makinë edhe telefonin celular dhe është vënë në kërkim të Jonis Dervishit. Pas disa orësh, 28-vjeçari është gjetur i vdekur jo shumë larg nga vendi ku kishte braktisur mjetin. Sipas policisë, ai kishte shkuar për të vjedhur pjesë metalike në një kabinë elektrike. I riu nga fshati Qatrom, pasi kishte lënë makinën për t‘u futur në kabinën më të afërt për të vjedhur, ka mbetur i vdekur nga korrenti. Prej dy ditësh viktima qëndronte pa jetë në brendësi të kabinës elektrike. Burimet e policisë kanë thënë se nga këqyrja e trupit të viktimës ai kishte shenja të djegies në ballë dhe në dorë, të shkaktuara nga kontakti me rrymën elektrike, ndërsa kishte tentuar të priste disa pjesë metalike prej bakri. Dy muaj më parë, një 17-vjeçar nga fshati Tren u gjet në telat e korrentit brenda kabinës së fshatit ku kishte shkuar për të vjedhur pjesë bakri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›