E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të plagosurit e Gërdecit, jashtë vendit për rikontrolle

Të plagosurit e Gërdecit, të cilët u lënduan gjatë shpërthimit të fabrikës së demontimit të armëve në 15 mars, kanë marrë ndihmën e nevojshme shëndetësore jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit.

Në bazë të marrëveshjeve mes vendeve fqinje, Itali, Greqi, Zvicër, ish-punonjësit e fabrikës, të plagosur gjatë shpërthimit, kanë marrë ndihmë të specializuar në qendrën universitare dhe në qendrat spitalore jashtë vendit, kryesisht në Itali. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar dje se ka ndihmuar të gjithë pacientët me dokumentacione dhe me mbulim të shpenzimeve financiare, pjesën e të sëmurëve që janë transportuar për ndihmë jashtë vendit, në spitalet italiane. Por, përfaqësuesit e ministrisë kanë sqaruar se ky dikaster nuk ka asnjë përgjegjësi për vonesat e dhënies së vizave nga shteti italian. Përgjegjësia e ministrisë është hartimi i dokumentacionit dhe notat verbale, të cilat ministria i ka bërë menjëherë dhe i ka dorëzuar në ambasadën italiane, si dhe vazhdimisht ka nxitur në kanale diplomatike mundësinë e miratimit të shpejtë të tyre. "Ministria e Shëndetësisë bën me dije se për rikontrollet e të plagosurve të tragjedisë së Gërdecit, pacientët Haka, Kodra e Sogani, në bashkëpunim me ambasadën italiane në vendin tonë, jo vetëm që është siguruar pajisja me viza, por është gjetur edhe mbulimi i shpenzimeve për rikontrollet që në datën 29 maj 2008", sqaron zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë. Sipas dikasterit të Shëndetësisë, të tre pacientët do ta bëjnë rikontrollin falas në Bari të Italisë, falë bashkëpunimit mes Ambasadës Italiane dhe Rajonit të Puljas.

Spitalet e huaja hapën dyert për pacientët shqiptarë dhe njëkohësisht ofruan ndihma dhe njësi gjaku sapo u informuan për shpërthimin e Gërdecit më 15 mars. Sakaq, shpenzimet janë mbuluar nga shteti shqiptar dhe falë bashkëpunimit dhe negociatave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe homologëve të tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›