E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, të shpërngulurit nuk dorëzohen

Të prekurit nga shpërthimi i Gërdecit kanë nisur të largohen nga ambientet e Shtëpisë së Pushimit në Durrës dhe të vihen në kërkim të një strehe të re të përkohshme. Ndërkohë, në Durrës ka mbetur një grup familjesh që deklarojnë se nuk do t‘i braktisin këto ambiente as gjatë ditës së diel, që shënon dhe afatin e fundit për qëndrimin e tyre në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme. Madje ata kërcënojnë se do të futen në grevë urie për të siguruar atë që me të drejtë besojnë se u takon nga shteti i tyre, që i traumatizoi dhe i la pa shtëpi dhe pa siguri për jetën.

Banorët thonë se ndonëse tragjedia e 15 marsit ua dëmtoi shtëpitë, ata nuk kanë përfituar asgjë. Në këto kushte do të vazhdojnë të qëndrojnë në Shtëpinë e Pushimit deri në zgjidhjen e plotë të situatës dhe strehimit të tyre. "Nuk kemi ku të shkojmë. Në çadër nuk do të jetojmë. Djali ka fëmijë të vegjël", ankohej dje me sytë e përlotur një grua e moshuar. Qëndrimi shpërfillës i qeverisë dhe pushtetit lokal për atë që u ndodhi ua rëndon edhe më shumë gjendjen shpirtërore të cenuar fort nga shpërthimi dhe pasiguria për jetën.

Burime nga Shtëpia e Pushimit bënë të ditur se kryesisht familjet që nuk janë larguar nuk janë të përfshira në listën e familjeve që përfitojnë rimbursimin 6-mujor për të siguruar strehimin në banesa me qira deri në fund të këtij viti. Ato janë kryesisht nga fshati Radë, ndërkohë që ka dhe familje nga Vora që nuk i kanë marrë paratë. Ndërsa familjet e tjera janë larguar për të kërkuar çatinë e re nën të cilën do të qëndrojnë derisa të kenë sigurinë për të jetuar në shtëpitë e tyre të dëmtuara, familjet e mbetura ndihen mes katër rrugëve.

Familjet e dëmtuara të fshatit Radë, që bën pjesë në Bashkinë e Manzës, nuk janë përfshirë në vendimin e qeverisë për dëmshpërblimin e familjeve të prekura. Familjet e mbetura kërcënojnë me grevë dhe thonë se do t‘i lënë dhomat në të cilat janë akomoduar në Durrës, vetëm kur të kenë në duart e tyre paratë, si të gjitha familjet e tjera.

Ndërkaq, grupet e vlerësimit që kanë punuar në terren menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit i kanë vlerësuar shtëpitë e këtyre familjeve si të dëmtuara lehtë nga shpërthimi. Ky vlerësim, megjithëse ishte kërkuar rivlerësim prej banorëve, duket se i ka lënë jashtë listës së përfituesve në vlerë monetare.

Familjarët e kundërshtojnë këtë qëndrim ndaj tyre dhe apelojnë për një zgjidhje sa më të shpejtë të situatës. Ndërkohë, mëngjesi i së hënës duhet ta gjejë të zbrazur Shtëpinë e Pushimit nga të strehuarit në të, për t‘u lënë vend pushuesve zyrtarë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›