Përplasje mes policisë së rendit dhe asaj bashkiake
Përplasen policia bashkiake me policinë e rendit për detyrat përkatëse në ndihmë të qytetarëve. Pavarësisht se detyrat e tyre janë përcaktuar me ligj, shpeshherë ata ngatërrohen duke mos u ardhur në ndihmë njerëzve, të cilët kanë nevojë. Kjo përplasje ka ardhur për shkak të ndarjes së kundërvajtjeve penale dhe atyre administrative. Sipas të dhënave, shpeshherë në sallën operative ka pasur telefonata, ku qytetarë të ndryshëm të Tiranës kërkonin ndihmë nga uniformat blu, për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike. Shumë persona kanë telefonuar duke u ankuar se pronarë lokalesh krijojnë zhurma të mëdha, duke shqetësuar banorët e zonës. Por, policia e rendit i ka përcjellë këta njerëz pa zgjidhje, duke u justifikuar se kjo është kompetencë e policisë bashkiake. Por, nga ana tjetër, policia bashkiake nuk ka mundur të bëjë asgjë në lidhje me këtë problem, pasi, sipas tyre, prishja e qetësisë publike është kompetencë e policisë së rendit. Teksa policitë përkatëse ndajnë detyrat e tyre, njerëzit shpesh herë nuk kanë përfituar ndihmë prej tyre. Policia bashkiake mban qëndrim se detyrat e tyre ndahen nga detyrat e Policisë së Shtetit, pasi merren vetëm me kundërvajtjet administrative. "Nëse lokali qëndron hapur deri në orët e vona të natës dhe mban muzikë me zë të lartë, pa pasur një licencë aktiviteti me këto lloj kushtesh, atëherë ndërhyn policia bashkiake, duke mbyllur lokalin dhe duke marrë respektivisht masa administrative", detajojnë burimet nga policia bashkiake. Por, sipas tyre, në shumë raste ata shkojnë në këto ambiente dhe vërejnë se lokalet janë të mbyllur dhe njerëzit qëndrojnë në oborret e tyre, ku me zhurmat e tyre sjellin edhe shqetësime për banorët. "Në këto raste, ne nuk mund të ndërhyjmë, pasi kjo duhet evituar nga policia e rendit", deklaron policia bashkiake. Nga ana tjetër, policia e rendit duket se nuk e vë ujin në zjarr, duke u justifikuar se kjo punë kryhet nga policia bashkiake. Madje, në një rast para disa netësh, pavarësisht se një qytetar telefonoi disa herë në sallën operative dhe te policia bashkiake, askush nuk erdhi në ndihmë të tij, derisa të dehurit që krijonin zhurma shqetësuese u ndërgjegjësuan dhe në orët e mëngjesit u larguan. Qytetari telefononte sa te njëra polici, ashtu edhe te tjetra, por nuk mundi të gjente një zgjidhje, duke konfirmuar edhe njëherë ngatërresën e detyrave përkatëse të policisë.