E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtorët e policisë marrin gradat e reja

Të gjithë drejtorët e policisë në qarqe dhe ata të Drejtorisë së Përgjithshme, kanë marrë gradat "Drejtues i Parë". Kjo është bërë në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave për implementimin e gradave të reja, ndërkohë që ka nisur puna për përshtatjen e gradave me funksionin për disa drejtorë, të cilët nuk kanë vjetërsinë e duhur në punë. Burimet nga policia bënë të ditur se ka nisur ndryshimi i gradave, pasi më 11 qershor pritet ndryshimi i gradave për të gjithë strukturat. Sipas të dhënave, fillimisht po bëhet ndryshimi i gradave për të gjithë drejtorët e policisë në qarqe. Këta do të përfitojnë gradën drejtues i parë, që deri më sot mbahet vetëm nga një ish-funksionar i lartë i policisë. Ndërkohë, këtë gradë do e përfitojnë edhe drejtorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Megjithatë, ndryshimi i gradave ka sjellë edhe probleme në polici. Nga informacionet e mbledhura, rezulton se disa prej drejtorëve në Drejtorinë e Përgjithshme nuk e plotësojnë vjetërsinë në polici për të përfituar gradën për funksionin që kanë. Kështu, eprorët po mendojnë për ndryshime përkatëse mbi këtë aspekt, me qëllim rregullimin e strukturës pa krijuar probleme madhore. Burimet policore thanë se nëse do të jetë e nevojshme, këta persona mund të emërohen në ndonjë tjetër funksion dhe në vend të tyre të sillen persona që kanë vjetërsinë e duhur për gradën që do të marrin. Ndërkohë, siç dihet, punonjësit e policisë, të cilët kryejnë detyra jofunksionale, nuk do të pajisen me gradë. Sipas propozimit të Policisë së Shtetit, këta mund të paguhen si administratë civile, duke përjashtuar mundësinë e marrjes së gradës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›