E Diel, 1 Nëntor 2026

Panik te banorët e kryeqytetit, flakët përfshijnë një pallat

Një zjarr i rënë dje në një pallat në Tiranë ka alarmuar zjarrfikësit, si dhe ka shkaktuar një panik të madh te banorët. Zjarri është shënuar rreth orës 14:00 në rrugën "Jordan Misja", pranë Hipotekës, ndërkohë që menjëherë për në vendin e ngjarjes janë nisur shërbimet zjarrfikëse. Këto të fundit kanë vonuar për rreth gjysmë ore për të mbërritur në destinacion, edhe për shkak të trafikut të rënduar, duke shtuar panikun në radhët e banorëve të pallatit. Burimet policore të kryeqytetit thanë për "Shqip" se nga një telefonatë janë njoftuar se zjarri kishte rënë në një pallat të ri, gjë që ka sjellë reagimin e menjëhershëm të tyre. Fillimisht, në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat policore të Komisariatit Nr. 3 dhe më pas kanë mbërritur edhe zjarrfikësit. Uniformat blu kanë nisur me evakuimin e banorëve, pasi nga tymi është menduar se zjarri do të kishte përmasa të mëdha. Por, brenda një kohe të shkurtër flakët janë lokalizuar duke u minimizuar rreziku. Sipas të dhënave policore, zjarri kishte rënë në katin e dytë të pallatit, në apartamentin e një shtetasi. Fatmirësisht, flakët nuk janë përhapur në apartamentet e tjera, duke u minimizuar dëmi. Policia ka ngritur edhe një grup hetimor në vendin e ngjarjes për të dokumentuar plotësisht shkakun e zjarrit. Nga të dhënat paraprake mendohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, megjithëse vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Policia tha se pas shuarjes së flakëve, banorët janë rikthyer në pallat, ndërkohë që grupi i punës po vlerëson dëmin e shkaktuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›