Mega, lançohet partia e re e minoritetit grek
Në politikën shqiptare do të jetë një tjetër zë nga minoriteti: ai i Partisë Mega, e cila së fundi u ligjërua edhe nga gjykata. Sipas kryetarit të kësaj partie, Kristaq Kiço, Partia Mega do të jetë prezente në garën politike, në zgjedhjet e afërta lokale. Zyrtarizimi i saj është bërë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës, që mban regjistrin e subjekteve politike në vend.
Me marrjen e vendimit gjyqësor, që ligjëroi themelimin e Partisë Mega, përfaqësuesit e saj kanë dalë dje në një konferencë për shtyp. Kryetari i Partisë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, Kristaq Kiço, tregoi për statutin dhe programin e Partisë Mega. Ai i është përgjigjur interesimit të gazetarëve për disa çështje, duke shpjeguar se përse duhej të lindte kjo parti dhe cila është boshllëku që plotëson krijimi i saj në spektrin politik shqiptar; ku qëndron ndryshimi mes saj dhe PBDNJ-së; cilat do të jenë marrëdhëniet e saj me të dhe me organizatën “Omonia”; ç’pjesë e minoritetit etnik grek mendohet si mbështetëse e Partisë Mega; a ka ekzistuar ndonjë nxitje për krijimin e kësaj partie nga shteti grek dhe nëse Mega do të përfshihet në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm. Ligjërimi i partisë më të re të minoritetit etnik grek është bërë më 21 qershor.
#