Zgjatet sërish procesi për parregullsitë në Ruzhdie
Shtyhet për herë të shtatë seanca gjyqësore e shumëpërfolur e Ruzhdies, duke u kthyer në një maratonë pa fund. Edhe këtë herë shkak i kësaj shtyrje është bërë mungesa e dy prej avokatëve mbrojtës të 9 të pandehurve për manipulimet me votat në kutitë zgjedhore gjatë procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009, në dy qendrat e votimit të Komunës Ruzhdie, të rrethit Fier. Seanca u zhvillua rreth orës 09.00 të ditës së enjte në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Fier, ku në sallë kanë munguar avokatët mbrojtës (të të pandehurve: Bujar Kararaj, Shezaim Kararaj, Pëllumb Myrtaj, Pëllumb Ferzaj, Ervin Myftaraj) Rozeta Plaku dhe Zenun Hadërmataj. Prokurori i çështjes, çlirim Sino, në fjalën e tij ka rikërkuar prej trupit gjykues zhvillimin serioz të seancës së gjyqit dhe moszvarritje të tij për mungesa të pajustifikuara, qoftë nga avokatët mbrojtës apo edhe nga vetë të pandehurit. Por, ndërkohë sipas gjyqtarit të çështjes, Roland Jaupaj, kjo seancë e shtyrë për në datën 7 korrik ora 10.00 u la dhe për t’i dhënë kohë avokatit më të ri të kësaj çështje Pëllumb Toska, i cili do të mbrojë të pandehurin Veledin Myftaraj. Ky i fundit është kërkuar prej prokurorit të çështjes, për arsye transparence e justifikuar me një dëshmi të dhënë prej të të pandehurit Myftaraj (PR) që ka dhënë kundër përfaqësuesve të PD-së dhe si e tillë nuk mund të përfaqësohej prej të njëjtit avokat si “kolegët” e tij.
#