E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet autori i vjedhjes së kishave në Voskopojë

28/07/2010 Bashkëpunëtori i tij ishte ndaluar më parë. Vodhën materiale me vlerë të madhe

KORÇE- Policia e Korçës ka bërë të mundur arrestimin e autorit të dytë të vjedhjes së kishave në Voskopojë. Autori i dytë i kësaj ngjarjeje është shtetasi Arben S., 36 vjeç, lindur në Pogradec dhe banues në Kamëz të Tiranës. Burime pranë Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Korçës sqaruan se, “ditën e martë, pas një pune të mirëorganizuar nga ana e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Korçë, u bë i mundur ndalimi i autorit të dytë të vjedhjes me thyerje të kishës së “Shën Mërisë” në fshatin Voskopojë të Rrethit Korçë”.

Vjedhja

Sipas policisë, kjo ngjarje kishte ndodhur në datën 18.05.2010, ndërsa shtetasi i arrestuar, Arben S., 36 vjeç kishte qenë person i shpallur në kërkim që nga kjo datë, pasi identifikimi i tij ishte bërë i mundur që pas ngjarjes. Ndërkohë, në ngarkim të tij Prokuroria e rrethit gjyqësor Korçë kishte nxjerrë Urdhër-ndalimin për veprën penale të “vjedhjes” parashikuar nga neni 134/1 i Kodit Penal. Gjithashtu dyshohet që ky shtetas të jetë autori i disa vjedhjeve të tjera të kulteve fetare në rrethin e Korçës. Për këtë arsye nga ana e policisë po punohet për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre ngjarjeve. Të njëjtët akuza, edhe për vjedhje të kishave të tjera, rëndonin edhe mbi të arrestuarin e parë. Sipas burimeve policore, arrestimi i Arben S. u bë i mundur pas arrestimit të autorit të parë të vjedhjes së kishës së Shën Mërisë, shtetasit Xhentil K., 43 vjeç, lindur në fshatin Lavdar të rrethit Korçë dhe banues në njësinë bashkiake nr. 10 në Tiranë. Edhe ky shtetas kishte qenë person i shpallur në kërkim që nga data 18.05.2010, por arrestimi i tij u bë i mundur në fillim të muajit qershor të këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›