E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet avokati pas denoncimit të familjarëve për mitmarrje

Avokati Edmond Toska është akuzuar se ka marrë lekë nga familjarët për një gjyq, me pretendimin se do t’ua jepte lekët gjyqtarëve të çështjes

FIER Iu kishte premtuar familjarëve të një të burgosuri se do të fitonte gjyqin në gjykatën e Vlorës dhe për këtë, avokati Edmond Toska iu kishte marrë një shumë të konsideruar parash. Por në fund të gjyqit, familjarët, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, i kanë kërkuar lekët avokatit fierak, i cili u ka deklaruar se lekët ua kishte dhënë gjyqtarëve të çështjes. Të gjitha bisedat mes avokatit dhe familjarëve janë regjistruar dhe këta të fundit nuk kanë nguruar që të bëjnë denoncimin ndaj tij. Ditën e djeshme, avokati Toska ka rënë në pranga e policisë nën akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione zyrtare”.

Arrestimi

Arrestimi i anëtarit të Dhomës së Avokatisë në Fier, Edmond Toska është kryer në orët e paradites së martë nga forcat kundër krimit ekonomik dhe financiar në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Sipas burimeve policore nga Fieri, në aksionin për prangosjen e tij nuk kanë marrë pjesë efektivë të kësaj policie. Efektivat blu kanë mbërritur nga kryeqyteti dhe pasi janë kontaktuar me avokatin, i kanë bërë të ditur atij akuzën për të cilën ai duhet të përgjigjet para drejtësisë shqiptare. Strukturat e krimit ekonomik dhe financiar kanë vënë në përgjim dhe survejim avokatin dhe pas një periudhe disamujore nën vëzhgim e kanë arrestuar atë ditën e martë paradite. Mësohet se gjykata e Vlorës e ka dhënë masën e dënimit për “arrest në burg” ndaj avokatit, bazuar në nenin 245/1.

Akuza

Sipas të njëjtave burime, ndaj anëtarit të Dhomës së Avokatisë Fier, Edmond Toska, është ngritur akuza e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione zyrtare”, akuzë kjo e bazuar në nenin245/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Sipas po të njëjtit burim, avokati është kallëzuar në organet e drejtësisë nga një klient i tij, i cili e kishte marrë për përfaqësim dhe mbrojtje në gjykatë avokatin Toska. Humbja e çështjes në dyert e gjyqësorit dhe vendimi kundër tij kanë detyruar të afërm të një klienti që të regjistrojnë bisedën e kryer me avokatin, në lidhje me shumat e pretenduar të dhëna për të fituar këtë çështje gjyqësore. Kërkesa nuk është pranuar dhe është rrëzuar nga gjykata. Përballë kësaj situate, të afërmit e klientit kanë kërkuar rikthimin e të hollave të paguara sërish atyre. Mirëpo sipas burimit të mësipërm, avokati është shprehur se të hollat u janë paguar personave që janë marrë me këtë çështje dhe gjyqtarëve. Të afërmit pasi e kanë regjistruar këtë bisedë, kanë çuar denoncimin në organet e drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›