E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djegia e fabrikës së dyshekëve, nis hetimi

Krujë Prokuroria e Krujës ka nisur hetimet mbi djegien e fabrikës së dyshekëve të sfungjerit dy ditë më parë në këtë rreth. Ndërkohë janë marrë në pyetje pronari i fabrikës, si dhe punëtorët të cilët kanë qenë duke punuar në fabrikë, për të saktësuar më mirë edhe shkaqet e rënies së zjarrit, bëjnë të ditur burime nga organi i akuzës. Ndërsa ekspertët po punojnë për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit, ku deri tani është arritur në konkluzionin se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Ndërkohë që tre punonjësit morën mjekimin e duhur dhe më pas janë larguar nga shtëpitë e tyre, ku priten të merren në pyetje nga prokuroria. Sipas burimeve zyrtare të informacionit, fabrika ka qenë e siguruar, ndërsa dëmet e shkaktuara nuk janë bërë të ditura akoma, por llogaritet që të kenë kaluar mbi 1 miliard lekë, ndërsa aktiviteti i fabrikës kishte nisur që dhjetë vite më parë, bëjnë të ditur punonjësit e kësaj fabrike. Sipas njërës prej punonjësve,

“ka qenë ndërhyrja e shpejtë e gjashtë punonjësve të katit të parë dhe pronarëve, që ka bërë të mundur edhe shpëtimin nga asfiksia të punëtorëve që ishin kryesisht në katin e dytë e më pas në katin e tretë”. Ndërsa zjarri i ka shkrumbuar të gjitha makineritë dhe materialin që përdorej për prodhimin e dyshekëve të sfungjerit, duke mos lënë asgjë të shpëtohet nga kjo djegie, madje edhe muri brenda, dyshemeja dhe një pjesë e tavanit të ndërtesës është çarë si rezultat i nxehtësisë së çliruar nga djegia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›