E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi në minierë, sekuestrohen dokumentet e ACR-së

Organi i hetimit ka sekuestruar të gjithë dokumentacionit e kompanisë austriake ACR, që lidhen me punën në galerinë ku ndodhi edhe shpërthimi i gazit.

Ndërkohë, zv/ministri i Ekonomisë, Nertian Alibali, theksoi sot se po hetohet nëse shpërthimi ka ndodhur nga punimet në minierë, apo në mënyrë rastësore.  "Duam të shohim nëse shpërthimi ka ndodhur nga punimet për riparimin e minierës, apo nëse janë dhënë urdhëa për fillimin e punës nga kompania ACR. Dokumentat janë marrë nga prokuroria dhe RISHM-i dhe shumë shpejt do të kemi një konkluzion mbi shkaqet e shpërthimit në minierën e Bulqizës", deklaroi ai për mediat. 

Alibali tha se në minierën e Bulqizës edhe dje ka pasur shkarkime të gazit të hidrogjenit, ç’ka ka vështirësuar punën e brigadës avaro-shpëtuese për pastrimin në minierë, pasi po punohet në një galeri me thellësi rreth 700 metra në nivelin e 16-të.

 "Sipas urdhrit të ministrit të Ekonomisë, ekipet e kompanisë ACR dhe të RISHM-it duhet të bënin kontrollet për situatën e punës dhe sigurisë në minierë pas grevës së gjatë të minatorëve", tha zv/ministri i ETE-s, Alibali.

Për ngjarjen reagoi edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, duke shprehur keqardhjen, teksa ka kërkuar marrjen e masave konkrete parandaluese për ngjarje të tilla. “Hetimi i shpejtë, i plotë dhe i gjithanshëm i kësaj çështjeje do të t’i shërbejë zbulimit të shkaqeve të vërteta që sollën këtë ngjarje tragjike, si dhe duhet të nxjerrë përgjegjësinë e organeve dhe personave të veçantë”, thekson reagimi. /Start/

                                                                                             2011-10-19 16:35
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›