E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet me thikë 30-vjeçari në Tiranë, pas sherrit për përplasjen e makinës

SHKRUAN: Habjon Hasani 19-10-2011 13:52

Një gërvishtje makinash ka përfunduar në tragjedi për një 30-vjeçar, i cili është vrarë me thikë në hyrje të Tiranës. Krimi ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 16:00, në zonën e quajtur Sauk i Vjetër, kur 30-vjeçari Vilson Përleka ka përplasur lehtë makinën e autorit të dyshuar Erald Sina, e cila ndodhej e parkuar. Pas incidentit, të dy kanë dalë nga makinat dhe kanë nisur të zihen, ndërsa dëshmitarë në vendngjarje thonë se përpara se ngjarja të precipitonte në vrasje, viktima ka debatuar ashpër me të dyshuarin Sina dhe dy kushërinj të tij. Aksidenti i lehtë është kthyer menjëherë në një konflikt të madh, ku fillimisht janë shkëmbyer fjalë e sharje e më pas, i dyshuari Sina ka goditur me thikë 30- vjeçarin Përleka, i cili është transportuar nga një autoveturë e rastit në spitalin më të afërt, atë të Sanatoriumit. Rreth 30 minuta pasi ka mbërritur në spital, 30-vjeçari ka ndërruar jetë pasi kishte marrë tri plagë dhe hemorragjia si dhe dëmtimi i organeve jetësore e kanë bërë të pashpresë gjendjen e tij. Pasi ka shkuar në vendngjarje, policia ka arrestuar dy të afërm të Erald Sinës, ndërsa vetë autori i dyshuar është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Banorë të lagjes thanë dje për MAPO-n se, përpara se të ndodhte vrasja janë dëgjuar debate dhe zënka me zë të lartë në mes të rrugës dhe më pas duket se palët janë goditur dhe me grushte. “Ngjarja ka ndodhur në rrugicën ku kanë shtëpitë i gjithë fisi Sina. Ata kanë shtëpitë dhe bizneset anës asaj rruge dhe neve na thanë që viktima kishte përplasur lehtë mjetin e tij me një veturë të parkuar përpara shtëpive të fisit Sina dhe se ky ishte shkaku që ka nisur konflikti. Atë djalin ne nuk e njohim dhe mesa dimë, nuk është fare banori i kësaj lagjeje”, - tha dje për MAPO-n një banor i Saukut të Vjetër. Nga ana tjetër, policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar, ndërsa nuk përjashton pistën se konflikti mes palëve mund të jetë i trashëguar nga konflikte të vjetra dhe se gërvishtja e automjeteve mund të ketë qenë një pretekst i konfliktit. Gjithsesi, dëshmitarë dhe banorë të lagjes thanë dje për MAPO-n se konflikti përpara se të ndodhte vrasja ka qenë posaçërisht për gërvishtjen e automjetit dhe palët kanë replikuar mes tyre kryesisht mbi aksidentin e lehtë të automjeteve të tyre. Pas ngjarjes së rëndë, policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje disa persona, mes të cilëve të afërm të autorit të dyshuar Erald Sina si dhe dëshmitarë okularë, të cilët kanë kaluar në rrugë në momentin kur ka ndodhur ngjarja për të qartësuar motivet dhe autorësinë e vrasjes së 30-vjeçarit Vilson Përleka. Sa i përket autorit të këtij krimi, ai ka mundur t’u shpëtojë prangave për orë të tëra, me gjithë kontrollet e rrepta dhe postblloqet e ngritura nga policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›