E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet babai i Sajmir Tahirit per kontrabande ilacesh Tahiri Hetim i plote

Policia e Tiranës ka arrestuar Bashkim Tahirin, të atin e deputetit të PS-së, Sajmir Tahiri për kontrabandë barnash mjekësore. Operacioni i koduar "Risperdal" ka vënë në pranga edhe Dritan Gjizën e Nadire Tagën.
Barnat kontrabandë importoheshin nga Italia, hynin nga Porti i Durrësit e tregtoheshin nëpër farmaci të ndryshme në vend nga i ati i deputetit të PS, Bashkim Tahiri e Nadire Taga, ndërsa Dritan Gjiza favorizonte hyrjen kontrabandë në Shqipëri.

Vlera e barnave kontrabandë që iu sekuestrua të atit të Sajmir Tahirit kap vlerën e mbi 10 mijë eurove.
“Zëdhënësja sqaroi se nga hetimet është konkluduar se të arrestuarit e kryejne këtë aktivitet në bashkëpunim prej 1 viti, për të shmangur detyrimet tatimore.
Pas një punë operative hetimore dhe proçeduriale u mundësua dokumentimi ligjor i përfshirjes së shtetasve të sipër cituar për një periudhë 3-mujore hetimi, ku është arritur të sigurohen provat e mjaftueshme për t’u vërtetuar faktin, që shtetasit në bashkëpunim me njëri - tjetrin kanë mundësuar trasportimin e medikamenteve, ku siguroheshin përmes shtetases me iniciale N.P (vjerra e shtetasit Dritan Gjiza), e cila i siguronte në një mënyrë të jashtëligjshme në një qëndër shëndetësore në Itali.
Pas hetimit, u konkludua se shtetasi, Dritan Gjiza, pasi siguronte transportimit me mjete të ndryshme, përmes Pikës së Kalimit Kufitar Durrës, duke bashkëpunuar edhe me shtetasit e sipër cituar, i tregonin më pas në farmacinë e shtetasit Bashkim Tahiri e ndodhur në afërsi të Q.S.U.T. në Tiranë.
Në momentin e arrestimit të 3 – shtetasit u kapën në flagrancë duke shkëmbyer medikamentet me shumën e parave, në afërsi të rrugës “Todi Shkurti” në Tiranë, ku u gjënden dhe u sekuestruan një sasi e konsiderueshme medikamentesh për diagnoza të ndryshme kurimi si : sëmundje kancerogjene, sëmundje nervore etj, ku vlera e tyre arrin në mbi 10 mijë euro”- përfundoi deklarata e zëdhënëses së policisë.

Reagon Rama: Të hetohet deri në fund. Nuk cënon integritetin e Tahirit
Ka reaguar kreu i Partisë Socialiste Edi Rama pas njoftimit për arrestimin e Bashkim Tahirit, babait të deputetit socialist Saimir Tahiri. Sipas Ramës asnjë shtetas nuk është mbi ligjin dhe sipas këtij principi babai i deputetit duhet të hetohet dhe gjykohet deri në fund, në mënyrë të drejtë e të pavarur.

Por për kryesocialistin, akuza për kontabandë ilaçesh nuk e bën të akuzuarin vetvetiu më të pafajshëm, por pa asnjë dyshim i bën akuzuesit vetvetiu më të dyshuar, pasi kjo nuk ëhstë goditja e parë që shteti i bën Tahirit.
“Sepse dihet botërisht që nuk është goditja e parë e shtetit ndaj familjes së Saimir Tahirit apo ndaj vetë deputetit socialist, i cili është i mirënjohur nga opinioni publik për kurajën dhe këmbënguljen me të cilën ka denoncuar në vijimësi korrupsionin qeveritar, krimin e organizuar, si edhe vetë Kupolën drejtuese të Policisë.
Dihen edhe gjyqet e orkestruara në dëm të Saimir Tahirit për akuzat e tij ndaj fëmijëve të kryeministrit. Prandaj natyrshëm lind edhe dyshimi se ky ndalim i orkestruar mediatikisht, në kohë reale, me një bujë të pazakontë, i babait të një deputeti opozitar, mund të jetë hakmarrja politike e babait kryeministër”- shprehet Rama në deklaratën e shpërndarë për mediat.
Më tej ai thekson se cilado qoftë e vërteta, kjo nuk e cënon integritetin moral e politik të deputetit socialist, sepse sipas Ramës Tahiri është njëri prej pjesëtarëve më aktivë të skuadrës kombëtare për një Rilindje Shqiptare dhe kjo ngjarje as nuk e cënon as nuk e kushtëzon konsideratën e lartë për të.

Saimir Tahiri: Sipas meje askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin, hetim i plotë
Ndërkaq deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri është paraqitur në drejtorinë e policisë rreth orës 08:00, por nuk e ka takuar të atin. Sipas tij policia nuk e ka lejuar ta takojë atë.
“Nuk e takova babain se s'më lejoi policia. Sipas meje askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin. Shpresoj që hetimi të bëhet sa më i plotë”- ka deklaruar Tahiri për mediat.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›