E Diel, 1 Nëntor 2026

Fundjavë e përgjakshme në rrugë, 48-vjeçari bie në greminë me makinën e tij



TEPELENË – Edhe gjatë fundjavës dhe ditës së hënë janë regjistruar një sërë aksidentesh me të vdekur dhe të plagosur. Incidentet janë regjistruar në Gjirokastër, Durrës, Kurbin dhe disa rrethe të tjera. Telefonata e një bariu në komisariatin e Tepelenës mbrëmjen e së dielës ka sinjalizuar forcat e policisë se ka ndodhur një aksident i rëndë në aksin Tepelenë-Progonat. Pas verifikimeve të para, rezultoi se një makinë kishte rënë në humnerë nga një lartësi prej 130 metrash, rreth 1 kilometër në dalje të fshatit Bencë. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se ka gjetur vdekjen aksidentalisht shtetasi Selami Qeli, lindur dhe banues në Tepelenë. Aksidenti ndodhi si pasojë e humbjes së vëmendjes nga 48-vjeçari gjatë drejtimit të mjetit tip Fiat, me targa TP 0967 B. Grupi hetimor konstatoi se në vendin e quajtur Ura e Skaranit në dalje të fshatit Bënçë makina ka dalë nga rruga duke rënë në humnerë rreth 130 metra të thellë. Drejtuesi i mjetit ka gjetur vdekjen e menjëhershme Në automjet përveç drejtuesit të automjetit nuk udhëtonte asnjë shtetas tjetër. Ky shtetas punonte si pllaka shtrues dhe po zbriste nga Progonati për në Tepelenë. Në orën 1 të mëngjesit të djeshëm është nxjerrë viktima nga ujërat e lumit.
Një tjetër viktimë është regjistruar mbrëmjen e së dielës. Rreth orës 21.15, ne segmentin rrugor Sukth-Manez, në afërsi të firmës “Sinani”, një automjet ende i paidentifikuar ka aksidentuar për vdekje shtetasin Besmir Kreshpa, 22 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Sukth të rrethit të Durrësit. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore në vendngjarje, shërbimet e Policisë po punojnë për identifikimin e autorit të kësaj ngjarje. Policia po heton në dy pista; ajo e një vdekje aksidentale, dhe ajo e një akti të qëllimshëm.
Edhe një i moshuar desh humbi jetën dy ditë më parë. 82-vjeçari N.M., është plagosur rëndë në një aksident ndërsa shkaktari është ndaluar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se më datë 10 gusht u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Genc Veliaj, lindur dhe banues në Bulqizë. Të dielën paradite, rreth orës 09.45, në lagjen Nr. 18 në kohën kur drejtonte automjetin tip benz, me targa BZ 1634 A, 35-vjeçari ka aksidentuar të moshuarin me banim në lagjen Nr. 8 të qytetit bregdetar. I lënduari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Durrësit. Në të njëjtën ditë, në Fushë Krujë, babai dhe dy fëmijët e tij kanë rënë viktimë e një aksidenti të dyfishtë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se janë arrestuar shtetasit Luan Gurakuqi nga Martaneshi dhe Tom Zeka, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë për arsye se mëngjesin e së dielës, rreth orës 06.00, në segmentin rrugor F. Krujë– Laç, e pikërisht në Kryqëzimin Gramëz –Borizanë, në kohën kur drejtonin përkatësisht mjetet tip Volksëagen Sharon, me targa DON – KN 40 dhe tip Man kamion, me targa TR 5810 I, janë përplasur, duke shkaktuar dëmtimin e shtetasve M.G., 40 vjeç; A.G., 9 vjeç dhe A.G., 3 vjeç. Të dëmtuarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Vetëm gjatës ditës së diel deri në orën 18 u regjistruar 1 i vdekur dhe 6 të plagosur në disa rrethe. Pjesa më e madhe e aksidenteve ndodhën në akset Fier-Lushnje dhe Fushë Krujë-Lezhë. Në shumicën më të madhe të rasteve në epiqendër të aksidenteve janë emigrantët, të cilët nuk njohin sa duhet rrugët plot probleme në vendin tonë.

Shtëpia e amortizuar rrezikon jetën e 57-vjeçarit

KORÇË – Një burrë në moshën 57-vjeçar është plagosur rëndë pasi banesa ku jetonte ishte në një gjendje të amortizuar dhe po prishej nga vetë i lënduari. Burime policore të Drejtorisë Rajonale të Korçës, bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në lagjen nr 15 të qytetit juglindor, në familje Leno. Kryefamiljari Jani Leno, gjendej në katin e tretë të banesës e cila ishte në shkatërrim e sipër. Leno ka rënë nga lartësia në oborrin e shtëpisë përdhese. Në gjendje të rëndë, 57-vjeçari u transportua për në spitalin rajonal. Por plagët kritike në këmbë, detyruan mjekët të kërkojnë një helikopter.
Mjeti fluturues i Ministrisë së Shëndetësisë ka shkuar në spitalin e Korçës dhe ka transportuar të plagosuri për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Mjekët në këtë spital, bëjnë të ditur se 57- vjeçari është dëmtuar në këmbën e djathtë dhe në legen ndaj ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore.

Mbytet në lum 15-vjeçari, po lahej me shokët

MAMURRAS - Një 15 vjeçar është mbytur dje në ujërat e lumit Drojë, në periferi të bashkisë së Mamurrasit. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë, të cilët thanë se 15-vjeçari me iniciale D.M po lahej me bashkëmoshatarët e tij dhe teksa notonte në thellësi nuk ka mundur të dalë në sipërfaqe. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Adriatik të Kurbinit ndërsa mësohet se policia po heton rreth shkaqeve të kësaj fatkeqësie. Pas lajmërimit uniformat blu e kanë gjetur në ujërat e lumit Drojë trupin e pajetë të fëmijës dhe më pas e kanë dërguar atë në morg. Gjatë kësaj vere janë shënuar disa viktima në zonat turistike. Vetëm në Velipojë janë mbytur 3 pushues nga Kosova. Viktima ka pasur edhe në Shëngjin, Durrës, Divjak dhe Vlorë gjatë gjithë sezonit veror.

12 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›