Arrestohet beratasi, dyshohet si kreu i një bande hajdutësh
Një 29-vjeçar është prangosur mbrëmjen e së enjtes nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se është drejtuesi i një bande hajdutësh me aktivitet të ngjeshur. Arrestimi i shtetasit Fatmir Marra, 29 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Vlorë, është bërë gjatë operacionit me emrin e koduar "Myzeqeja 09". Marra akuzohet për "vjedhje në bashkëpunim", "prodhim dhe shitje e narkotikëve", si dhe "prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta". Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, si edhe nga dëshmitë e grumbulluara për aktivitetin e 29-vjeçarit nga grupi hetimor, mësohet se ai ka organizuar dhe drejtuar një grup kriminal, i cili për një kohë të gjatë ka ushtruar aktivitetin e tij në Fier, Lushnjë dhe Kuçovë. Objektet e veprimtarisë kriminale të këtij grupi kanë qenë kryesisht lokale, banesa dhe automjete. Aktualisht në ngarkim të Fatmir Marrës dhe personave të tjerë, të cilëve për arsye hetimi nuk u bëhen të ditur emrat, janë të dokumentuara ligjërisht vjedhja e dy lokaleve, dy banesave dhe dy automjeteve, por nën hetim janë dhe mbi 6 vjedhje të tjera, kryesisht dyqane. Për të gjitha këto ngjarje, në ngarkim të shtetasit Fatmir Marra e personave të tjerë, Gjykatat e Rrethit Gjyqësor Fier dhe Lushnjë kanë vendosur masat e sigurisë "arrest në burg". Në momentin e arrestimit, 29-vjeçarit iu sekuestrua një veturë "Alfa Romeo" pa dokumente, në bagazhin e së cilës u gjet një levë metalike, një gur flesibël, një valixhe me vegla pune, çelësa makinash, doreza dhe një thikë. Këto mjete, sipas policisë, përdoreshin për të realizuar vjedhje. Në makinë u gjet gjithashtu edhe një sasi e vogël pluhuri të bardhë, që dyshohet të jetë lëndë narkotike.