E Diel, 1 Nëntor 2026

Piktoret shqiptare në Francë me ngjyra të forta

Ato janë nënë e bijë. Të dyja të dhëna pas artit pamor. Janë piktore, po merren edhe me skulpturë. Shqipe e Ardita Gashi jetojnë prej vitesh në Francë. Aty edhe kanë gjetur veten artistikisht. Ato ekspozojnë të dyja prej vitit 1997. Tashmë janë thuajse të pandara. Ashtu si në ekspozitat që kanë pasur prej muajit tetor, nëntor dhe atë që kanë projektuar për në muajin dhjetor. Kanë mbledhur materialet artistike dhe janë gati për t‘u paraqitur para publikut dhe dashamirësve të veprave të tyre në Francë. Të dyja sapo kanë lënë pas një ekspozitë e cila organizohet çdo vit në Francë dhe që titullohet "Artistes du pas". Të dyja ishin pjesë e 58 artistëve, të cilët merrnin pjesë nga vende si Franca, Zvicra e Gjermania. Në po të njëjtën ekspozitë vetëm një vit më parë Shqipe Gashi është vlerësuar me çmimin e jurisë. Pas saj, Ardita e Shqipe Gashi, në mesin e muajit nëntor, në datat 20, 21 dhe 22, së bashku me 40 artistë të tjerë do të ekspozojnë në "Sallon 40". Por më e rëndësishmja dhe më e dashura për to, është pa dyshim ekspozita e cila do të çelet në muajin dhjetor. E një arsye e ka. Është ekspozitë personale në të cilën ato do të paraqiten para publikut me rreth 30 vepra. Tema të cilën ka zgjedhur Ardita është "Le Bonheur" ("Në humor"). Pjesë e saj janë disa piktura të dimensioneve të mëdha, si dhe tri skulptura abstrakte, (gjini e preferuar edhe në pikturë), të cilat paraqesin koka njerëzish me ngjyra të ndryshme. Ndërsa Shqipja, ka zgjedhur temën "Symétries oniriques" ("Ëndrra simetrike"). Telajot e saj do të zënë më shumë vend në ambientet e galerisë "Les Essences de l‘Art", po ashtu edhe skulpturat e video instilacionet. Të shumta janë dëshirat dhe ambiciet e piktoreve shkodrane. "Kam dëshirë të vijmë në Shqipëri, por edhe në Kosovë për të çelur ekspozitë të përbashkët. Do të ishte një kënaqësi e madhe që të paraqiteshim edhe në vendin tonë me krijimet e këtyre viteve", thotë Ardita Gashi pa ditur në të vërtetë se kur do të jetë dita që do të kthehen në vendlindje për të ekspozuar, pasi mes angazhimeve të shumta në Francë hapësira për t‘u larguar thuajse nuk gjendet. Megjithatë, ajo çka është e rëndësishme për të dyja, është të vazhdojnë të krijojnë e të ekspozojnë, për të ngritur sa më lart nivelin artistik të punëve të tyre, si dhe për të dhënë maksimumin e shprehive artistike, energjinë shpirtërore për të transmetuar te publiku ndjenjat dhe emocionet e tyre. "Ne duam që idetë tona të arrijnë atje ku ne duam të arrijnë, pra te dashamirësit e veprës sonë. Ne ngaherë përpiqemi që ato të jenë sa më tërheqëse e interesante", vijon Ardita. Për të dyja, nënë e bijë, ngjyrat janë "mbretëreshat" e krijimeve të tyre. U pëlqen të eksperimentojnë me to, të luajnë dhe në këtë mënyrë të shikojnë e të mësojnë më shumë prej reagimeve të publikut. Luajnë fort me kontrastet. Ngjyrat e forta e energjike janë simbolika e pikturës së tyre. U pëlqen të ngacmojnë publikun, por edhe të luajnë me ndjeshmërinë e tij. Abstraksionizmi është rryma në të cilën eksperimentojnë më së shumti. Kanë gjetur veten aty. Ardita e Shqipe Gashi, ekspozojnë së bashku qysh prej vitit 1997. Atëherë ishte një bashkëpunim krejt i natyrshëm. Në atë kohë, Ardita do të çelte një ekspozitë. Duke qenë se edhe vajza kishte punime interesante, ajo vendosi që ekspozitës t‘i shtonte edhe punime të saj. Që nga ajo periudhë, së bashku ato kanë ekspozuar në aktivitetet e shumta në Francë, por edhe në Zvicër. Për nënën, Arditën, është njësoj sikur ta ketë filluar rrugën drejt pikturës me të bijën. Ato thuajse gjithnjë janë paraqitur së bashku nëpër ekspozita.

Ar.He

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›