Arrestohet biznesmeni për mashtrim
Etleva Delia
Një biznesmen i shpallur në kërkim për mashtrim me 52 milionë lekë u arrestua dje nga Antikrimi Ekonomik i Policisë së Tiranës. Kristaq Tota, 48 vjeç, i cili deri para tre vitesh merrej me tregti mermeri, është vënë në pranga pasi dy muaj më parë gjykata e ka dënuar me 2 vjet heqje lirie. Edhe pse kishte më shumë se 6 vjet që ishte denoncuar nga miku i tij, Luan Nanaj, të cilit i kishte marrë borxh 52 milionë lekë të vjetra, vetëm në shkurt të këtij viti, gjykata ka deklaruar fajësinë e të arrestuarit. Ballafaqimi në Gjykatën e Tiranës, i të gjitha fakteve dhe disa dëshmitarëve të tjerë, ka shpallur fajtor biznesmenin Kristaq Tota, duke e dënuar në mungesë, me akuzën e mashtrimit. Ndërkohë dje policia ka bërë të mundur arrestimin e tij në zbatim të vendimit të dhënë më parë nga gjykata. Sipas të dhënave nga vendimi i Gjykatës së Tiranës, mësohet se në vitin 2002 biznesmeni Tota i ka kërkuar 22 milionë lekë borxh mikut të tij Luan Nanaj, me pretendimin se dogana italiane i kishte bllokuar një trailer me mermer dhe paratë i duheshin për të sjellë mallin në Shqipëri. Si garanci ata kanë nënshkruar një kontratë të noterizuar, ku në rast se Tota pas 6 muajsh nuk do i kthente paratë e marra hua, atëherë të gjitha pasuritë e biznesmenit do të kalonin në pronësi të Nanajt. Në fakt Kristaq Tota, jo vetëm që nuk ia ka kthyer paratë në datën e caktuar në kontratë, por në përfundim të afatit që kishte firmosur vetë, i ka kërkuar edhe 30 milionë lekë të tjera borxh. Gjatë shqyrtimit të dokumenteve në gjykatë, rezultoi më pas se prona që Kristaq Tota kishte lënë si garanci, nuk rezultonte më në emër të tij, pasi ia kishte shitur një personi tjetër, Bedri Demës, i cili po ashtu ka dëshmuar në gjykatë.
VENDIMI I GJYKATES
Pasi ka shqyrtuar të gjitha provat e paraqitura nga organi i akuzës dhe të gjitha dëshmitë nga persona të dëmtuar nga mashtrimet e biznesmenit Kristaq Tota, gjykata ka vendosur dënimin e tij. Sipas vendimit të marrë nga togat e zeza më 11 shkurt 2009, Tota, pas hedhjes në dorë të shumës së parave nga Luan Nanaj ka ndërmarrë veprime për shitjen e pasurisë së vetme që dispononte në atë kohë, një sipërfaqe toke, në zonën kadastrale nr.2105 Tiranë. Fakti se Tota nuk kishte asnjë mundësi për të shlyer huanë prej 52 milionë lekësh ndaj të dëmtuarit Luan Nanaj, vërtetohet edhe nga verifikimi i bërë nga Zyra e Përmbarimit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të ekzekutimit të vendimit gjyqësor civil. Nga ky proces rezultoi se, i padituri Kristaq Tota nuk kishte asnjë aset (pronë apo llogari bankare) për të shlyer detyrimin e vendosur më sipër nga gjykata. Në këto kushte është konstatuar se që në momentet e para të marrjes së huasë nga Luan Nanaj, Kristaq Tota nuk mund ta shlyente shumën e marrë borxh. Gjykata ka arritur në përfundimin se, i pandehuri Kristaq Tota jo vetëm ka shpërdoruar besimin e mikut të tij por, i ka paraqitur rrethana të pavërteta, të kundërta me realitetin, duke gënjyer të dëmtuarin Luan Nanaj. Si rezultat i këtij veprimi ka arritur të marrë, me qëllim për të mos kthyer më, shumën prej 52 milionë lekësh.
Biznesmeni u dënua në mungesë
Në vendimin e Gjykatës së Tiranës, të datës 11 shkurt 2009, thuhet se përsa i përket llojit dhe masës së dënimit që duhet të vuajë Kristaq Tota, si pasojë e kryerjes së veprës penale të “mashtrimit”, çmohet se duhen mbajtur parasysh këto rrethana: Rrezikshmërinë relativisht të lartë të veprës penale për të parashikohet deri në 5 vjet burg. Faktin se, Tota nuk është paraqitur asnjëherë përpara organeve të drejtësisë, duke treguar mospërfillje. Kristaq Tota edhe sot e kësaj dite nuk e ka zëvendësuar dëmin që ka pësuar Luan Nanaj.